
Egnatia 0 - 2 Tirana (Kallaku 14', Hasani 54')
NDESHJA/ Tirana ka fituar 0-2 me Egnatian për javën e dytë të Superligës. Kampionët e vendit i janë falur golave të Kallakut dhe Hasanit në secilën pjesë. Tej rezultatit, ndeshja është kapur nga momente paniku dhe ankthi në minutën e 31.
Mesfushori 18 vjeçar i Tiranës, Klevi Qefalia është rrëzuar pa ndjenja në tokë, pas dyluftimit në ajër me Ojediran. Djaloshi ka bërë që të pranishmit të përjetonin momente të vështira, me ambulancën që e ka dërguar në spitalin e Rrogozhinës dhe më pas drejt Traumës në kryeqytet.
Çarje në ballë dhe dëmtime në nofull për Qefalija, me lojtarin që e ka kaluar momentin e vështirë duke u përmendur. Lojtarët e Tiranës nuk e vijuan ndeshjen, derisa lajmi për përmendjen e tij u dha nga Tefik Osmani.
Duket se dëmtimi do e mbajë jashtë Qefalijan për disa javë, me mesfushorin që është nën kujdesin e mjekëve.
Sa i takon ndeshjes, Egnatia merr humbjen e dytë radhazi, ndërsa Tirana tri pikët e para pas barazimit 1-1 me Kukësin.
Kategoria Superiore - java 2 - 17:00
Stadiumi: Egnatia, Rrogozhinë
Arbitra: Laver Alla, Marjus Qose, Edlir Malo, Olti Cela VAR: Eldorjan Hamiti, AVAR: Ridiger Cokaj
Formacionet zyrtare:
Egnatia: Sherri, Ojediran, Mihana, Camaj, Jackson, Da Silva, Malota, Zejnullai, Musta, Atanda, Fangaj
Trajner: Edlir Tetova
Tirana: Bekaj, Toshevski, Najdovski, Aleksi, Kallaku, Hasani, Ismajlgeci, Përgjoni, Xhixha, Qefalija, Zhivanaj
Trajner: Orges Shehi
Komenti minutë pas minute:
90+4' Mbyllet 0-2 ndeshja në Rrogozhinë.
90' Katër minuta shtesë.
80' Zejnullai provon nga 25 metra, sfera del jashtë.
60' Bambam nuk kalon dot Bekaj në dy raste, portieri i Tiranës hero.
54' GOOL! Hasani befason Sherrin, kampionët dyfishojnë rezultatin. Goli për Qefalia, me Hasanin që puth fanellën i përlotur.
46' Nis pjesa e dytë.
45+10' Mbyllet 0-1 pjesa e parë.
45+1' Mihana ndalet nga Bekaj.
45' Dhjetë minuta shtesë.
43' Limaj ka marrë vendin e Qefalia të dëmtuar.
42' Tefik Osmani jep lajmin e mirë, Qefalia është përmendur në spital me Tiranën që vijon lojën. Pas 12 mintash rinis ndeshja.
30' !! Qefalia (18 vjeç) te Tirana është përplasur keq në dyluftim me Ojediran e Egnatias. Panik në fushë, me ambulancën që ka dërguar me urgjencë lojtarin në spital. Lojtarët në fushë nuk vijojnë lojën pa mësuar gjendjen e lojtarit. Delegatët me arbitrin diskutojnë me stafet për mënyrën e vijimit të këtij dueli. Të pranishmit në fushë janë në shok psikologjik pas atij dëmtimi. Lojtari i Egnatias për fat është mirë, ndërsa Qefalia ka mbërritur në spital !!
27' Një krosim nga e majta e sulmit të Egnatias është devijuar nga Toshevski, me vendasit që protestuan për 11 metësh. Laver Alla nuk është konsultuar me VAR duke vijuar lojën.
17' Camaj shpërdoron një rast të artë, Bekaj hero te Tirana.
14' GOOL! Sherif Kallaku kalon në avantazh Tiranën. Pas asistit të Xhixhës, fantazisti bardheblu shënon me kokë.
13' Rasti i parë i Xhixhës, ndal Sherri.
1' Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga vendasit.