Isi Manellari është afrimi më i ri i Dinamo Cityt. Kryeqytetasit e kanë prezantuar mesfushorin përmes një komunikimi zyrtar në rrjetet sociale.
28-vjeçari do t'i bashkohet menjëherë dinamovitëve duke u vënë nën urdhrat e trajnerit Ilir Daja, i cili do ta ketë në dispozicon për ndeshjen e raundit të parë kualifikues të Conference League përballë Astanës.
Manellari ishte së fundmi pjesë e Elbasanit, klub me të cilin vendosi dhe ndërprerjen e bashkëpunimit pak ditë më parë, zhvillim të cilin e njoftoi Newsport.al që zbuloi dhe "destinacionin" e tij të radhës.
Vlen të theksohet se ky është një rikthim për pogradecarin te klubi i Dinamos, më saktësisht tek moshat U-19, ndërsa më parë ka veshur edhe fanellën e Laçit, Tomorit, Pogradecit, Ilirisë dhe Partizanit B.
POSTIMI:
"Isi Manellari vishet blu!
Isi Manellari është përforcimi i radhës për skuadrën tonë. Mesfushori 28-vjeçar vjen si një afrim i rëndësishëm për klubin dinamovit, pas eksperiencave që ka pasur sezonet e fundit si titullar në Superiore.
Pas marrëveshjes me presidentin Adrian Bardhi, Manellari ka firmosur kontratën me klubin tonë dhe ka udhëtuar drejt Ohrit për t’u bashkuar me skuadrën. Besojmë fort se do të jetë një element me vlera në mesfushën blu.
Mirë se vjen dhe suksese me fanellën e 18 herë kampionëve të vendit, Isi Manellari!"

