
Bledi Shkëmbi është trajneri i ri i Tiranës i cili do të marrë drejtimin e skuadrës këtë sezon. Sot ai dha edhe konferencën e parë zyrtare duke ngritur siparin e aventurës së tij si bardheblu. Shkëmbi vjen te Tirana pas një sezoni të vështirë të kryeqytetasve dhe së bashku me drejtorin sportiv, Agim Ibraimi e drejtuesit e tjerë, do të ndërtojnë ekipin e ri për sezonin që vjen.
Një mision i vështirë për Bledi Shkëmbin që merr përispër një nga klubet më të mëdha shqiptare, siç vetë ai deklaroi. Por, presioni është një ‘mik’ i vjetër për të dhe siç u prononcua vetë, është gati ta mbajë mbi shpinë.
Kjo lëvizje e Tiranës na kujton diçka të mëparshme, një Deja Vu. Pikërisht, Orges Shehin që si figurë sportive është ‘binjak’ me Bledi Shkëmbin. Të dy janë ikona të futbollit shqiptar ku me Skënderbeun e artë thyen limitet europiane për skuadrat shqiptare. Një tjetër e përbashkët është historia e tyre e ‘kuqe’, pra me Partizanin. Të dy kanë luajtur për rivalët e përjetshëm para se të shkruanin histori me korçarët.
Shehi u emërua në krye të bardhebluve 3 sezone më parë dhe skepticizmi nga opinioni publik ishte i pranishëm. E njëjta histori edhe tani, sigurisht, presioni te një klub si Tirana është i madh. Shkëmbi do të ketë edhe një ‘minigarë’ me veten e tij për të ndjekur një rrugë të ngjashme si ish-shoku i tij.
Këtë gjë e shpresojnë drejtuesit dhe e duan të gjithë dashamirësit bardheblu pavarësisht opinionit që rezervojnë. Por, nuk varet gjithçka nga Shkëmbi pasi sigurisht, organika e skuadrës ka peshë të madhe në arritjen e objektivave.
Ajo që mbetet të themi është se Tirana i ka dhënë start revolucionit me prezantimin e trajnerit dhe drejtorit. Në ditët e ardhshme do të plotësohet edhe stafi teknik ku më pas do të nisë puna për afrimet e merkatos.