
Prej disa ditësh, legjenda e futbollit shqiptar dhe një nga figurat më të dashura të Tiranës, Agustin Kola, ndodhet i shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Sipas burimeve pranë familjes, ish-sulmuesi i famshëm bardheblu është diagnostikuar me ulçerë në stomak, çka ka detyruar mjekët të ndërhyjnë për trajtim të specializuar.
Mjekët konfirmojnë se gjendja e Kolës është stabile dhe se ai po i përgjigjet mirë terapisë, ndërsa pritet të qëndrojë nën kujdesin e stafit mjekësor edhe për disa ditë të tjera.
Kola, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit shqiptar me Tiranën dhe Kombëtaren, gëzon respekt të madh në mjedisin sportiv dhe te tifozët bardheblu.
Nga të gjitha anët, sportdashësit i kanë dërguar urime për shërim të shpejtë “mjeshtrit të driblimeve”, që për vite me radhë ka emocionuar gjenerata të tëra me talentin dhe pasionin e tij në fushë.
Kujtojmë se ditën e djeshme, Kola u vizitua edhe nga Ogerta Manastriliu. Kandidatja për Bashkinë e Tiranës, gjatë vizitës theksoi se ish-futbollisti është nën kujdesin e duhur nga mjekët profesionistë.