
Dita e sotme te Tirana ishte ditë prezantimesh. Kështu Grent Halili në një konferencë për shtyp prezantoi Bledi Shkëmbin si trajnerin e skuadrës dhe Agim Ibraimin si drejtor sportiv.
Halili theksoi se bardheblutë do të nisin një cikël të ri dhe askush nuk do të jetë mbi klub. Ndër çështjet që foli ishte edhe për lojtarët e akademisë.
Madje anëtari i bordit drejtuest theksoi se falë punës së drejtorit sportiv, klubi i Tiranës ka arritur marrëveshjen për shitjen e dy talenteve të skuadrës. Ermal Meta dhe Jordi Jaku do të “mbushin” arkat e kryeqytetasve.
Halini nuk bëri të ditur se cilët janë ekipet ku janë shitur lojtarët, as nuk zbuloi se sa është shifra që klubi do të përfitojë. Në ditët në vazhdim pritet të mësohet më shumë mbi këto transferime.
“Drejtori Sportiv nuk do të ketë asnjë lloj presioni mbi të rinjtë. Për ne e rëndësishme është të fitojmë sa më shumë prej tyre dhe më lejoni të zbuloj se falë punës së Ibraimit kemi arritur marrëveshjen për shitjen e dy lojtarëve. Ermal Meta dhe Jordi Jaku janë dy futbollistët që klubi ka arritur akordin për shitjen e tyre”, ka deklaruar Halili
Kujtojmë se të dy lojtarët kanë debutuar këtë sezon në Superiore, ku Meta ka luajtur në 23 ndeshje mes kampionatit, Kupës dhe Conference League, ndërsa nga ana tjetër Jaku ka zbritur në fushë në 12 sfida mes Kupës dhe kampionatit.