
Prej disa ditësh, legjenda e futbollit shqiptar dhe një nga figurat më të dashura të Tiranës, Agustin Kola, ndodhet i shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Gjendja shëndetësore e ish-futbollistit ka shqetësuar mbarë komunitetin sportiv në Shqipëri. Ndërkohë që për herë të parë, ka reaguar edhe klubi i Tiranës, skuadër në të cilën Kola “formoi” karrierën e tij.
REAGIMI:
KF Tirana ka ndjekur nga afër gjendjen shëndetësore të legjendës sonë, Agustin Kola, duke qenë pranë tij fizikisht që nga dita e parë e shtrimit në spital. Për klubin tonë, prioriteti kryesor ka qenë dhe mbetet mirëqenia e tij. Solidariteti dhe përkushtimi ynë janë shprehur çdo ditë përmes kujdesit të afërt dhe mbështetjes së vazhdueshme.
E kuptojmë që jo i gjithë komuniteti bardheblu ka mundësi të komunikojë me të privatisht, ndaj është e rëndësishme për ne që t’ju ofrojmë këtë hapësirë për të shprehur urimet dhe dëshirat tuaja për shërimin e tij të shpejtë. E presim me padurim legjendën Kola dhe jemi të sigurt se së shpejti do të shihemi në stadium.
