Dejvi Bregu mund të konsiderohet lojtari më i ri i Teutës. Edhe pse duhet theksuar se nuk ka asgjë zyrtare, burime për "Newsport.al" bëjnë me dije që palët kanë arritur parimisht akordin dhe tashmë pritet vetëm firma në kontratë. Paraqitjet pozitive dhe cilësitë e padiskutueshme të tij, e kanë bindur trajnerin Edlir Tetova që të kërkojë me doemoes shërbimet e Bregut.
Të njëjtat burime tregojnë se ai do të firmosë një kontratë nga e cila do të përfitojë plot 15 mijë euro në muaj, duke u bërë në këtë mënyrë një nga futbollistët më të paguar në Superiore. Kontratat e futbollistëve në vendin tonë janë zakonisht 10 mujore e në këto kushte, në fund të edicionit, arka e Dejvi Bregut do të mbushet me 150 mijë euro.
Klubi i Teutës është shndërruar në një “kantier” të vërtetë me trajnerin Edlir Tetova që ka vendosur pikat mbi “i” për organikën që dëshiron të ketë në edicionin e ardhshëm. Presidenti Troplini ka vënë në dispozicion “çekun e bardhë” për qëllimin e vetëm, Teuta kandidate absolute për titullin kampion në sezonin e ri. /Nikoll RAJTA/
