
Për ekipet e Superiores nuk do të ketë shumë kohë për të pushuar, pasi ndeshjet e radhës janë vetmë 2 ditë larg. Kampionati ka hyrë në fazën më delikate të tij dhe në këto kushte skuadrat do të luftojnë “dhëmb për dhëmbë” për të marrë maksimumin e pikëve.
Kështu ndeshjet e para të fazës së 4-të të Superiores do të luhet në mesjavë. Saktësisht të mërkurë dhe të enjte. Me 5 mars do të zhvillohen 2 ndeshje, ndërsa një ditë më pas do të luhen 3 takimet e tjera.
Kështu siparin e kësaj faze do ta hapë dueli mes Egnatias dhe Dinamos, përballje që do të luhet në “Egnatia Arena” në orën 16:30. Një sfidë mjaft e luftuar dhe direkte mes ekipeve që bëjnë mes tyre llogaritë për kreun e renditjes. Aktualisht vetëm 2 pikë i ndajnë ekipet në klasifikim.
Në po të njëjtën orë do të luhet edhe sfida mes Vllaznisë dhe Partizanit. Një tjetër sfidë e luftuar dhe që pritet të jetë spektakolare mes skadrave që pretendojnë titullin dhe rikthimin te fitorja në kampionat.
Ndërkohë ditën e enjte do të jetë radha e 6 ekipeve të tjera të zhvillojnë ndeshjet e tyre. Në orën 14:00 do të sfidohen mes tyre Bylis dheTeuta. Një duel direkt për mbijetesë mes skuadrave dhe 3 pikët për ta janë shumë “jetike”.
Në orën 16:30 do të luhet sfida mes Elbasanit dhe Skënderbeut në “Elbasan Arena”, teksa vetëm 30 minuta më vonë do të startojë ndeshja mes Tiranës dhe Laçit. Përballje këto që marrin vëmendjen e tifozëve dhe premtojnë të jetë mjaft të luftuara, pasi tashmë çdo pikë vlen shumëfish.
