
Tirana do të luajë me Kukësin të hënën në “Elbasan Arena” në orën 18:00. Bardhebluve për këtë sfidë do t’iu kthehen dhe tifozët, pas pezullimit me katër ndeshje. Në formacionin e Orges Shehit nuk pritet të ketë ndryshime nga ndeshja me Erzenin.
Deliu nuk duket ende se është gati për të qenë me skuadrën. Mesfushori vuan një dëmtim që nga ndeshja miqësore me Vorën dhe ndaj Erzenit fundjavën e kaluar nuk ishte prezent. Me shumë mundësi ai do të humbë dhe takimin e së hënës me Kukësin.
Në repartin e mbrojtjes nuk pritet të ketë ndryshime. Bekaj do të jetë si gjithnjë në portë. Në krahun e djathtë të mbrojtjes Toshevski, ndërsa nga e majta Përgjoni. Në qendër do të jetë dyshja Najdovski, Lulaj. Në mesfushë në vend të Deliut mund të aktivizohet Hila dhe krah tij Aleksi dhe Lushkja.
Në repartin e sulmit, nga krahët Hasani dhe Haxhiu në mbështetje të Abazaj në majën e sulmit. Trajneri Shehi pritet ta aktivizojë sërish nga e para në mesin e sulmit, lojtarin e ardhur në merkaton e janarit.