Duket se punët për ndërtimin e skuadrës në sezonin e ri tek Partizani kanë nisur. Pas plotësimit të stafit drejtues, me shumë gjasa tek të kuqtë është përcaktuar edhe trajneri i ri. Pas largimit të Agostinellit pritet që një tjetër italian të ulet në pankinën e kuqe. Këtë gjë e ka zbuluar vetë drejtori Genci Tomori, i cili në një prononcim për “Panorama Sport” ka folur në lidhje me këtë çështje, teksa u shpreh se ndjen keqardhje për dënimin e Skënderbeut:
“Fillimisht dua të shpreh keqardhjen time për dënimin e Skënderbeut. Ndërkohë ne si ekip kemi filluar punën duke piketuar edhe disa emra në merkato. Edhe trajneri do të jetë i qartë në planin e punës që do të ketë. Ai e njeh mirë ekipin teksa ka parë edhe disa ndeshje në video”, u shpreh Tomori duke lënë të nënkuptohet se trajneri i ri pritet të jetë Adolfo Sormani. Për trajnerin drejtori i të kuqve foli pa përmendur emrin e tij, por la të nënkuptohet se emri i tij është pasqyruar në media. Ky do të jetë trajneri i dytë italian në një vit te skuadra kryeqytetase, ku pas përjashtimit të Skënderbeut është pjesëmarrës në Champions League.