FIFA ka vendosur të mos ndërmarrë masa ndaj arbitrit australian Shaun Evans, pas hetimit të hapur për një gjest që ai bëri gjatë një transmetimi televiziv në Kupën e Botës 2026. Rasti tërhoqi vëmendje në rrjetet sociale, pasi simboli i formuar me dorë nga Evans është lidhur në disa raste me grupe të ekstremit të djathtë.
Incidenti ndodhi gjatë ndeshjes mes Gjermanisë dhe Curacaos, ku Evans ishte pjesë e ekipit të VAR-it. Pamjet e transmetimit e shfaqën atë duke formuar një rreth me gishtin tregues dhe gishtin e madh, veprim që shkaktoi reagime dhe kërkesa për sqarime.
Pas shqyrtimit të çështjes, Komiteti i Pavarur Disiplinor i FIFA-s arriti në përfundimin se nuk ekzistojnë prova që arbitri australian ka shkelur rregulloret e organizatës. Në deklaratën zyrtare, FIFA theksoi se: “Komiteti i pavarur disiplinor i FIFA-s mund të konfirmojë se, pas shqyrtimit të çështjes që përfshinte ndihmësin e gjyqtarit mbështetës të videos Shaun Evans, nuk ka gjetur prova për shkelje të Kodit Disiplinor të FIFA-s".
Sipas FIFA-s, hetimi nuk zbuloi asnjë element që do të justifikonte masa disiplinore ndaj arbitrit. Për këtë arsye, çështja është konsideruar e mbyllur dhe Evans do të vazhdojë detyrën e tij normalisht në turne.
Nga ana e tij, Evans mohoi çdo qëllim të fshehtë pas gjestit, duke shpjeguar se bëhej fjalë për një lëvizje të pavullnetshme dhe të pavetëdijshme. Ai theksoi se nuk kishte bërë me vetëdije asnjë simbol për të përcjellë një mesazh politik, ideologjik apo përkatësi të caktuar, ndërsa shprehu keqardhje për mënyrën se si veprimi i tij është interpretuar nga publiku.
