Një deklaratë e dhënë shkurt, por që mund të tregojë shumë për të ardhmen e Stiven Shpendit. Fjala është për presidentin e Empolit, Fabrizio Corsi i cili ka folur për median “Trivenetegoal” duke hedhur dritë mbi fatin e sulmuesit të talentuar.
Mësohet se në tryezë ekzistojnë interesime në drejtim të 23-vjeçarit ku përmenden klube si Genoa që militon në elitën e futbollit italian dhe Padova që e përfundoi sezonin në vendin e 10-të në ligën e dytë për nga rëndësia.
“Deri më sot nuk kam marrë asnjë ofertë nga Padova. Megjithatë, më shumë e shoh te Genoa. Nëse vjen ndonjë ofertë, do t’i dëgjojmë. Thonë se pronarët e Padovës kanë potencial të shkëlqyer dhe janë shumë të pasur. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Corsi.
Shpendi është një prej futbollistëve më të spikatur në Itali dhe jo vetëm, pasi edhe tek Kombëtarja shqiptare mund të vijë mundësia për të debutuar. Momentalisht kartoni i tij sipas “Transfermarkt” vlen 3.80 milionë euro.
