
Tirana e këtij sezoni është shfaqur me dy fytyra. Një merkato e bujshme, me emra të rëndësishëm për kampionatin tonë, e katapultuan ekipin mes pretendentëve kryesorë për të fituar titullin kampion. Ndeshja derbi ndaj Partizanit, kthehu edhe njëherë hijen e dyshimit për ecurinë e sezonit. Ngjarjet e ndodhura, humbja ndaj një tjetër rivali direkt, pezullimi i lojtarëve dhe paralajmërimi i të tjerëve e kanë trazuar situatën në klub. Si të mos mjaftonin këto, ai gol i pësuar në shtesë ndaj Flamurtarit, shtoi polemikat mes klubit dhe stafit teknik.
Për momentin, Memës i është dhënë edhe një shans, ndërsa formacioni pritet të ndryshojë për shkak të paraqitjeve "jo" të disa titullarëve. Me Hoxhallarin të bërë "kokë turku" , edhe Vangjeli pritet të mos aktivizohet më në qendër të mbrojtjes. Nga e majta vendin duket se e fiton i riu Ismailgeci, ndërsa Celhaka ka një vend titullari në mesfushë si pasojë e paraqitjeve të mira. Dunga pritet të jetë në balotazh me Ngoo-në, që nuk po gjen formën e mirë treguar sezonin e kaluar.
Sot ekipi luan testin miqësor ndaj Turbinës në "Selman Stërmasi", ora 16:00. Në klubin bardheblu, gjërat janë duke lëvizur.