Real Madrid mori në “Santiago Bernabeu” një humbje turpëruese nga Getafe. Këto të fundit triumfuan 1-0 me gol të Martin Satriano në minutën e 39-të, i cili “heshti” gjithë stadiumin “Santiago Bernabeu”.
Një disfatë që tashmë shkëput “Los Blancos” me 4 pikë nga Barcelona e vendit të parë. Pas kësaj sfide ka folur Alvaro Arbeloa. Timonieri i Realit ia ka “faturuar” këtë humbje gjyqtarit, i cili sipas Arbeloa bëri shumë ndalesa dhe kishte disa faulle, gjë e cila sipas tij ka ulur ritmin e skuadrës.
“Ne patëm raste më të qarta se Getafe. Gjyqtari lejoi këtë lloj loje, me shumë ndërprerje dhe mbajtje. Nuk është kritikë ndaj tyre, ata bëjnë atë që lejon gjyqtari. Kemi 36 pikë të mbetura, Madridi nuk dorëzohet kurrë. Ne besojmë se mund të rikuperohemi. Ky është futbolli, ata shënuan një gol të shkëlqyer, ne dështuam të shfrytëzonim shanset tona”, ka përfunduar timonieri i madrilenëve.
