Fitorja e së dielës në mbrëmje ndaj Rumanisë ishte historike dhe e rëndësishme në çdo plan. Kuqezinjtë kanë lumturuar çdo shqiptar në botë me atë performancë të shkëlqyer, që këtë herë është shpërblyer me rezultat.
Përtej emocioneve të jashtëzakonshme që kanë provuar më 19 qershor, ashtu si gjithë shqiptarët, drejtuesit e FSHF-së, por edhe lojtarët, kanë edhe një motiv më shumë për të gëzuar. Plot 1 milion euro shkojnë në arkat e Federatës Shqiptare të Futbollit nga fitorja me Rumaninë, pasi ky është shpërblimi që jep UEFA për çdo fitore. Tani “qeveria” e futbollit shqiptar lutet që të vijë edhe kualifikimi për më tej, që do të sillte edhe 9 milionë euro të tjera. Shifra të jashtëzakonshme, të paimagjinuara më parë për një federatë të vogël si e jona. Prandaj dhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, ka mbetur “pa fjalë” pas fitores së madhe të Lionit.
3 MILIONË EURO – Kjo është shifra, që pritet të shpërndahet për lojtarët dhe stafin e Kombëtares kuqezi për fitoren me Rumaninë. Një shifër e lartë kjo, që FSHF-ja nuk e ka zyrtarizuar, por burime pranë saj kanë folur për një shpërblim të tillë. Në fund të fundit, e meritojnë kuqezinjtë, sepse kanë sjellë emocione të papara.