Orges Shehi është një nga trajnerët më të përfolur në vendin tonë, pasi Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve e la të lirë duke i ndërprerë formalisht kontratën me Tiranën. Tekniku i njohur është tashmë kandidat potencial për të marrë drejtimin e Partizanit dhe me gjasë e ardhmja e tij do të jetë te kampionët.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se për Shehin ka pasur ofertë edhe nga Shkëndija e Tetovës siç është folur në media, por përgjigja e tij ka qenë negative. Edhe pse kuqezinjtë kanë bërë një ofertë të majme në aspektin financiar, me sa duket dëshira e Shehit është të qëndrojë në Shqipëri.
Pritet të shihet se çdo të ndodhë, ndërsa kujtojmë që në vitin që lamë pas, Orges Shehi u përzgjodh si trajneri më i mirë. Puna e mrekullueshme me skuadrën e Tiranës dhe eksperienca e fituar përgjatë këtyre viteve në Superiore, mund t’i shërbejë pozitivisht bardhebluve në të ardhmen.