
Arbër Hoxha është lojtari më i ri i Kombëtares shqiptar. 25-vjeçari mesa duket ka fituar besimin e trajnerit Sylvinho, me brazilianin që kërkon ta testojë futbollistin se sa i vlen “lëkura”. Hoxha do të ketë në dispozicion dy sfidat miqësore, me Kilin dhe Suedinë për të “luftuar” me lojtarë si Uzuni dhe Seferi.
Hoxha e ka nisur karrierën e tij te skuadra e Istogut në Kosovë, para se të kryente transferimin te Prishtina. Më pas, 25-vjeçari kaloi në formë huazimi te Besa, për t’u rikthyer më pas përsëri në Prishtinë. Nga këta të fundit u largua përfundimisht në vitin 2019, kur vendosi të transferohej te Ballkani.
Nga viti 2019 deri në vitin 2021, Arbër Hoxha qëndroi te ekipi nga Suhareka, teksa më pas vendosi të provonte futbollin europian. Sulmuesi u transferua në Kroaci te Lokomotiva e Zagrebit në verën e vitit 2021, aventura e cila zgjati deri në shkurt të vitit 2022.
Arbër Hoxha u largua nga Lokomotiva, por jo nga Kroacia. Ai vendosi që të fillonte një aventurë të re te Slaven Belupo. Ishte pikërisht ky ekip, vendi në të cilin Hoxha ra në sy dhe mori vëmendjen e disa klubeve europiane si Ferencvaros dhe Dinamo Zagreb.
Shqiptari vendosi që përsëri të vazhdonte karrierën në Kroaci, duke u bashkuar me gjigantët e Dinamos së Zagrebit. Dinamo pagoi 1 milion euro për të siguruar shërbimet e Hoxhës, me këtë të fundit që u rikthye menjëherë në protagonist, madje edhe në ndeshjen e mbrëmshme shënoi në Conference League përballë Paok.
Përsa i përket ndeshjeve në rang kombëtaresh, Hoxha ka luajtur 1 ndeshje me përfaqësuesen U21 të Kosovës, teksa me ekipin A të dardanëve ka zhvilluar 3 ndeshje miqësore. Por kjo nuk mjaftoi që ai të ftohej nga ekipi i parë, duke qenë një “okazion” për Sylvinhon dhe Kombëtaren shqiptare.