
Partizani do të luajë të premten kundër Teutës në transfertë, ndeshje e vlefshme për javën e nëntë të Superiores. Të kuqtë kanë zbritur dje në fushë me grupin e plotë. Bruno Telushi dhe Maguete ishin të pranishëm në këtë seancë stërvitore.
Mesfushori vlonjat mungonte prej derbit me Tiranën për shkak të problemeve fizike. Ndërsa afrikani nuk kishte pranuar të stërvitej me ekipin e parë prej pretendimeve për një vend titullari në formacionin kryesor. Të gjithë lojtarët janë vënë nën urdhrat e trajnerit Giovani Colella, mes një klime pozitive.
Sakaq në Durrës do të rikthehet edhe Arinaldo Rrapaj, i cili kundër Kastriotit mungoi prej kartonëve të verdhë. Ndeshja Teuta – Partizani është programuar të zhvillohet të premten në orën 17:45 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.