
Tefik Osmani nuk do të luajë dot sot për Skënderbeun në finalen e Kupës së Shqipërisë kundër Tiranës, ndeshje që do të startojë në orën 19:00 në "Elbasan Arena".
Ashtu si Hamdi Salihi, edhe Osmani janë të pezulluar nga Komisioni i Disiplinës, ndërsa mbrojtësi i Skënderbeut, në intevistën e tij para sfidës për mikrofonin e Supersport pranoi se do të jetë shumë e vështirë për të që ta përjetojë këtë takim nga tribuna.
Tirana ra në Kategorinë e Parë, ndërsa Shkëmbi pyeti Osmanin se çfarë ndjesie provoi ai si një ish-bardheblu.
"Nuk e kisha imagjinuar kurrë që Tirana do të arrinte në këtë pikë. Është vërtetë për të ardhur keq, sepse, me gjithë respektin për ekipet e tjera, edhe ti Bledi e di se kundër Tiranës jepnim maksimumin në fushë. Të gjitha ekipet jepnin maksimumin për të mposhtur Tiranën.
Por, i fortë është ai që di të ringrihet dhe shpresoj të ngrihet shpejt", deklaroi Tefik Osmani për "Gol pas Goli" në Supersport.
Një pyetje 'pikante' për Osmanin ishte edhe ajo e Ervin Bulkut, i cili iu drejtua mbrojtësit të Skënderbeut: "Ku u mërzite më shumë Tefik, te penalltia që nuk i dha gjyqtari Tiranës kundër Skënderbeut, apo për penalltinë që nuk dha gjyqtari për Skënderbeun në Kukës".
"Do ishte mirë sikur gjyqtari të jepte 11-metërshin për Tiranën në sfidën kundër nesh në Korçë. Aty do shikonit reagimin e lojtarëve të Skënderbeut, sepse të jeni të sigurt se nuk do kishim asgjë kundër", tha Osmani.