
Partizani u mposht minimalisht 1-0 nga Laçi në takimin e javës së 22-të në Kategorinë Superiore, duke ndërlikuar jo pak rrugën drejt titullit. Goli i Shtubinës bëri diferencën ndaj të kuqve, që e shikojnë veten +7 nga ndjekësi më i afërt, Teuta.
Megjithatë, përpos humbjes, trajneri Skënder Gega "akuzoi" minutat e pakta në dispozicion për të gjetur rrugën e rrjetës, pasi sipas tij kishte shumë pak lojë efektive. Ndërkohë, sqaroi edhe arsyen e lënies në stol të sulmuesit Emanuele Mensah.
"Nuk e aktivizova sepse kisha menduar diçka tjetër. Nuk është vetëm Mensah që godet portën. Këtu kemi futbollist si Telushi e Trashi që godasin mjaft mirë drejt portës. Kjo mangësi erdhi për shkak të minutave të paktë, lojës aspak efektive dhe mjaft të ngadaltë. Pas penalltisë çdo gjë mori fund"-e mbylli fjalën e tij trajneri Gega menjëherë pas takimit.