
Michael Ngoo mund të largohet në fund të sezonit, të paktën kështu u shpreh menaxheri i tij Mario Cenolli. Sulmuesi anglez mund të mbyllë bashkëpunimin me bardheblutë që në fund të muajit maj. Një deklaratë që u duk si kërcënim për drejtuesit e Tiranës, të cilët janë të përqëndruar në fitimin e titullit kampion për 100-vjetor.
Teksa pritej që situata të trazohej, përkundrazi një gjë e tillë s’ka ndodhur. Si presidenti Halili ashtu edhe drejtori Laçi vijojnë punën për të përforcuar ekipin në merkaton e verës. Nëse shtatlarti anglez nuk do të preferojë të qëndrojë, drejtuesit e 24-herë kampionëve të Shqipërisë nuk kanë ndërmend të sakrifikojnë shifra të çmendura për të.
Ndaj objektivi për të zëvendësuar anglezin gjendet në Korçë. Bëhet fjalë për Blerim Krasniqin, sulmuesin e Skënderbeut i cili është tentuar edhe më parë nga kryeqytetasit. Hë për hë s’mund të flitet për diçka konkrete pasi fillimisht duhet të përfundojë ky edicion futbollistik. Kontratat e gjithë lojtarëve shtyhen automatikisht sipas udhëzimeve të FIFA-s, në të kundërt ata (futbollistët) s’mund të firmosin në një skuadër tjetër.
Pritet me interes të shihet se çdo të ndodhë me anglezin dhe të ardhmen e sulmit bardheblu. Shpesh herë Ngoo është bërë subjekt i polemikave me drejtuesit për të njëjtat arsye. Tanimë s’mban më “ujë pilafi” dhe nëse dëshira e anglezit është të largohet, presidenti Halili duket se s’ka ndërmend të bëjë “çmendurira” ekonomike për shërbimet e tij.