
Departamenti i Garave në FSHF zhvilloi paraditen e kësaj të shtune një takim konsultues me drejtues të klubeve të kampionatit “Abissnet Superiore”, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Në fokus të këtij takimi konsultues ishte diskutimi mbi një propozim për përmirësimin e skemës aktuale të “Final 4”, me qëllimin për të rritur më tepër rivalitetin dhe cilësinë në fazën përmbyllëse të kampionatit.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe mundësia për zhvillimin e mëtejshëm të këtij formati në aspekte sportive dhe komerciale, duke synuar një produkt më tërheqës për publikun dhe partnerët mediatikë. Drejtuesit u njohën me këtë propozim, ndanë mendimin e tyre, teksa vendimi nëse do të ketë ndryshim apo jo në skemë do të komunikohet në vijim.