
Shqipëria fitoi 2-0 përballë Polonisë në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Europianit të Gjermanisë që do të zhvillohet në verën e 2024-ës.
Për këtë sfidë dhe kualifikimin foli në emisonin Opinion, Sokol Cikalleshi.
“Kam qenë i pari që kam uruar Dakun për golin. I thashë që e nisë mirë, por duhet akoma punë. Si nga i pari dhe tek i fundit ekipi është një, nuk ka rëndësi se kush luan titullar.
Me Çekinë ana fizike e tyre dhe mënyra e lojës ishin goditjet standarte, diçka që e ndalëm me sukses. Teksa me Poloninë duhej t’i linim sa më pak të kthehej Zelinski me fytyrë nga porta jonë. Unë luajta paksa i tërhequr.
Ajo fitore me Serbinë në 2014-ën e baltosi paksa rrugëtimin tonë, por Federata bëri çmos dhe na arritëm ta merrnim atë 3 pikësh.
Këtë herë në fushën e lojës ne po bëjmë më të mirën si ndaj Çekisë dhe Polonisë ekipe që janë renditur më lart se ne, por në fushën e lojës ne kemi treguar të kundërtën.
Për të bërë sukses patjetër që duhet të merresh me detajet. Sylvinho e bën këtë gjë. Shumica e ekipit është rritur jashtë trevave shqiptare, por trajneri ka bërë që ata ta ndjejnë flamurin. Fjala e parë e trajnerit në çdo ndeshje është ‘Po luajmë për flamurë, po luajmë për shqiptarët’. Sylvinho ka kuptuar mentalitetin shqiptar ashtu si De Biasi.
Pothuajse skema 4-2-3-1 është një skemë klasike dhe lojtarët e gjejnë veten aty. Por skema 3-5-2 do shumë punë. E keni vënë re që kur luajmë me 4-2-3-1 ndryshojmë shumë shpesh, kur jemi në mbrojtje kalojmë në 4-5-1 dhe e kemi më të lehtë për të manovruar.
Momenti më i bukur me Kombëtaren është momenti që u rikthyem nga Armenia, ku dy anët e rrugës nga aeroporti deri në Tiranë ishin makina të ndalura që na duartrokisnin. Shpresoj që ta përsërisim diçka të tillë. Do të kishte kuptim tjetër karriera ime po ta arrij diçka të tillë për herë të dytë", është shprehur Cikalleshi.