
Derbi i madh i futbollit shqiptar është shumë pranë. Të dielën luhet dueli I fundit mes Partizanit dhe Tiranës për këtë sezon. Të kuqtë nëse fitojnë, atëherë do të shpallen automatikisht kampion pas një pritjeje 26 vjeçare. Në krahun tjetër, bardheblutë luftojnë për mbijetesë dhe nëse massin maksimumin nga kjo sfidë, për ta do të ishte thuajse i siguruar ky sezon.
Në kampin e kuq të gjithë kanë besimin se në fund të derbit ata do të festojnë titullin. Kështu shprehet edhe ish-lojtari I Partizanit, Dorjan Bylykbashi, I cili në një intervistë të dhënë për newsport.al "skanon" këtë sezon të luajtur nga skuadra e Skënder Gegës.
Sipas tij, s'ka asnjë dyshim që 15 herë kampionët e vendit e meritojnë titullin, por ai shkon edhe më tej, duke zbuluar rezultatin dhe emrin e lojtarit që shënon në këtë sfidë.
- Kush e fiton derbin sipas jush...do arrijë Tirana tja prish festën e titullit Partizanit?
Mendoj se fiton Partizani. Do ishte shumë bukur që titulli të fitohej në derbi. Gjithsesi, sido të dalë ndeshja, kjo nuk ia prish dot festën Partizanit.
- Sa do të ndikojnë mungesat e Asanit, Mensah dhe Telushit në këtë ndeshje?
Janë të tre lojtarë shumë të mirë. Po mendoj që edhe ato lojtarë që do i zëvendesojnë do ta bëjnë siç duhet punën e tyre.
- 10 pikë diferencë nga vendi i dytë... Mendoni se Partizani vërtetë e ka dominuar këtë sezon?
Vetë diferenca e pikëve e tregon më së miri këtë gjë. Ka qenë një sezon me të vertetë shumë i mirë dhe e kanë dominuar pothuajse gjatë gjithe kampionatit. Të gjithë pa përjashtim kanë bërë me së miri atë që i takon.
- Kush mendoni se është lojtari më i mirë i Partizanit në këtë sezon?
Nuk mund të veçoj ndonjë. Po them se Hoxha, Trashi, Hila, Telushi, Hasani dhe veçanerisht trajneri Skënder Gega kanë pjesën kryesore. Pa harruar mbështetjen e presidentit Demi dhe tifozerisë te mrekullueshme që është gjithmonë në mbështetje të djemve.
- Partizani këtë sezon nuk i ka kontestuar shumë vendimet e arbitrave. Mendoni se ky fakt ka ndikuar në ecurinë pozitive të skuadrës?
Nuk mendoj se ka ndikuar fare në ecurinë e ekipit, sepse siç e thashë, është e gjitha puna e çunave gjatë gjithë sezonit për të arritur këtu ku janë. Partizani nuk është marre ndonjëherë me arbirtrat.
- Kush do e vendosë ndeshjen sipas jush?
Shpresoj që golin ta shenoj Jurgen Bardhi sepse e meriton. Ose Esat Mala.
- Po eleminimin nga Kupa të Partizanit, do e quanit si dështim, edhe pse po fiton titullin kampion?
Ndoshta ngaqë presioni më i madh ishte për kampionatin, mendoj se nuk i kushtuan shumë rëndësi Kupës. Do ishte diçka e bukur t'i merrte të dyja këte, vit sepse mundësitë ishin.
- Ju thoni që të gjithë kanë meritë brenda klubi për titullin, mirëpo kush mendoni ju se e ka meritën më të madhe?
Sigurisht që kryesori është presidenti Demi, sepse është ai që paguan prej vitesh dhe e dimë shumë mirë se një ekip pa një president serioz nuk mund të shpallet kurrë kampion. Drejtori teknik, Olsi Rama ka sigurisht vendin e tij, I cili i ka transmetuar ekipit gjithmonë qetësi dhe siguri. Dhe sigurisht arkitekti i këtij Partizani, trajneri Skënder Gega bashkë me stafin e tij që kanë ditur t'i marrin maksimumin çdo lojtari
- Keni një rezultat për këtë takim?
Unë mendoj se rezultati I kësaj ndeshje do të jetë 1-0 Partizanin dhe të kuqtë do të shpallen kampion në derbi. /Nazif Zylali/