Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

FORMACIONI/ Më të mirët e javës së katërt, trajneri dhe lojtarët fitues të SUPERIORES

Shkruar nga NEWSPORT
FORMACIONI/ Më të mirët e javës së katërt,

Flamurtari dhe Skënderbeu kanë mbyllur javën e katërt të Kategorisë Superiore, ku nuk kanë munguar emocionet dhe spektakli. Raste dhe gola, episode të diskutuara dhe shumë dyshime nga vërshëllima e arbitrit. Në këtë javë skuadrat e thanë fjalën e tyre, ndërsa Newsport.al iu sjell skuadrën më të mirë të kësaj "xhiroje", me qershinë mbi tortë, "timonierin".

Përsa i përket futbollistëve më të mirë, kemi një "gjeografi" të shpërndarë në të gjitha ekipet, ndërsa padyshim trajneri fitues është Orges Shehi, i cili arriti të administronte shumë mirë një ndeshje delikate, sikurse ishte ajo e Vlorës.

Orges Shehi (trajner) - Shehi vari dorezat në "gozhdë" dhe veshi "kollaren" për të drejtuar Skënderbeun. Deri më tani ka arritur ta bëjë shumë mirë këtë detyrë, duke marrë 10 nga 12 pikë të mundshme në 4 javët e para. Skënderbeu i tij mbetet skuadra për t'u mundur dhe këtë gjë e vërtetoi në Vlorë, ku arriti të fitonte një ndeshje me skemë "operacionale". Sfida e ardhshme për teknikun është Tirana, ku do e presë në shtëpi.

Alban Hoxha (portier)- Portieri i Partizanit bëri një ndeshje mjaft të mirë në katërkëndëshin e tij. "Gardiani" i Kombëtares u provua disa herë nga sulmuesit kurbinas, megjithatë porta e kuqe mbeti pa prekur. Megjithëse Partizani nuk fitoi, Hoxha ishte padyshim "heroi" i pikës së marrë në Laç.

Blerim Kotobelli (mbrojtës) - Ndeshje e mirë nga mbrojtësi i majtë i Flamurtarit. Grintë, dëshirë dhe saktësi në lojën e tij. Ishte i pakalueshëm në krahun e majtë ndaj një Skënderbeu agresiv në çdo repart. Megjithatë skuadra e tij u mund, por anësori ishte i pakalueshëm në krahun e tij

Marvin Turtulli (mbrojtës) - Qendërmbrojtësi i Tiranës ishte i pakalueshëm në mbrojtje. Jo vetëm në fazën difensive, por edhe në atë ofensive ai ishte rezultativ duke arritur të shënojë golin e dytë për ekipin bardheblu. Një ndeshje për t'u duartrokitur nga shtatlarti i Tiranës.

Egzon Belica (mbrojtës) - "Shtylla" e mbrojtjes së Partizanit bëri mirë në fazën difensive. Statik në prapavijë duke mos lejuar sulmin kurbinas të depërtojë. Ishte i vendosur me ndërhyrjet e tij duke krijuar siguri para Alban Hoxhës.

Erlis Frashëri (mbrojtës)- Kamza e tij jo vetëm fitoi, por e dominoi në çdo aspekt ekipin krutan. Dha një ndihmë të madhe në fazën ofensive teksa me daljet e tij, herë pas here rrezikoi mbrojtjen mike. I vendosur mirë në mbrojtje, 30-vjeçari ishte i pakalueshëm në krahun e djathtë.

Asion Daja (mesfushor) - E justifikoi më së miri shiritin e kapitenit të besuar nga trajneri Ze Maria. "Aktori" i asistit të parë për Blazhevksin, i pagabueshëm në çdo pasim dhe vërtetë për t'u përgëzuar për atë që dha në fushën e blertë.

Gjergji Muzaka (mesfushor)- Skënderbeu nuk fitoi vetëm nga autorët e golave, pasi duelet në mesfushgë ishin shumë të vështira dhe një lojtar si Gjergji Muzaka ka arritur që të bëjë mjaft mirë rolin e tij, duke ekuilibruar lojën e ekipit të tij. I saktë në veprime dhe me vizion për pasimet e tij.

Blerim Krasniqi - Në 3 javët e para asnjë gol i shënuar. Ndërsa në takimin kryesor të javës së katërt arriti të shënonte një gol shumë të rëndësishëm, duke i ndihmuar shumë skuadrën e tij për të marrë një tre pikësh, që do të thotë se Skënderbeu tashmë është një hap më shumë se të gjithë. Presion dhe rrezik konstant për kundërshtarin në çdo moment.

Reginaldo Faite - Sulmuesi u përfol se pas dëmtimit që pati me Kombëtaren e tij, nuk do të luante në transfertën e Teutës, por që në fakt ndodhi krejtësishtë e kundërta. Shtatlarti jo vetëm që e nisi takimin titullar, ndërsa shënoi edhe një gol, që i dha Kukësit një tjetër 3 pikësh, pas atij në "Loro Boriçi" ndaj Tiranës.

Masato Fukui - Kamza mori një rezultat pozitiv në shtëpi ndaj Kastriotit dhe një meritë shumë të madhe e kishte edhe Fukui, i cili gjatë gjithë ndeshjes ishte një rrezik konstant për kundërshtarin. Jo vetëm kaq, por në fundin e pjesës së parë shënoi golin e 2-të dhe të fundit të ndeshjes, duke i dhuruar Klodian Duros fitoren që në debutim.

Dejan Blazevski - Kaloi nga një kampionat si ai Maqedonas dhe erdhi në skuadrën më të titulluar në vend, Tirana. Megjithatë sulmuesi nuk është ndalur me kaq, por ishte referenca kryesore e trajnerit Ze Maria, që ia ka shpqrblyer besimin që në startin e ndeshjes, kur kaloi bardheblutë në avantazh. Blazevski ka shënuar vetëm një gol deri më tani, por shihet si një pretendent për të fituar "Këpucën e Artë". Sfida e radhës për të do të jetë transferta e Skënderbeut.

Skema (4-2-1-3)

Poll

Lexo gjithashtu