
Sfida e Sqhipërisë kundër Islandës e përfunduar me shifrat 1-1 solli një reagim të gjerë në opinin publik. Ishte ai gol në sekondat e fundit shtesë që arriti të shkaktonte një dramë në vetvete, që la një shije aspak të mirë.
Ekipi kishte mundësi të arta shënimi që nuk u shfrytëzuan mirë pasi për shumë minuta luajtëm në superioritet numerik ndaj Islandës që u ndëshkua me të kuqe që në pjesën e parë. Gazetari sportiv Altin Sulçe foli në “Ora News” mbi këtë takim ku dhe tregoi se çfarë i mungoj kësaj Kombëtare.
Altin Sulçe për “Ora News”:
“Është problem i madh kur shikon atë skenën e fundit të takimit. Ti aty ke tifozë që kanë ardhur nga e gjithë Europa dhe ka një kosto të madhe që të vish për të parë një ndeshje. Ke biletat e avionit, hotelin, koha e humbur, janë shumë shpenzime të mëdha. Prandaj dua të them se mendja e mijëra tifozëve është për t’u dëgjuar më shumë nga një mendje e trajnerit, nga një mendje e gazetarit. Ata kanë të drejtë pasi janë më shumë sy dhe mendje te Kombëtarja.
Ata tifozë që luten dhe presin në fundin e ndeshjes për një fanellë të lojtarëve, këtë herë i refuzuan, ia hodhën mbrapsht. Na shkaktoi emocione të forta, Kombëtarja të jep emocione të forta në fakt. Kjo është situata. Ne shqiptarët kemi hyrë në Europë nëpërmjet Kombëtares, derdhemi në shesh për të festuar për Kombëtaren. Përjetohej si varka e shpëtimit për ne, tani që nuk e kemi më, e ndiejmë më shumë zhgënjimin. Nuk ka rëndësi rezultati, nuk ka fare. Ti mund të mundesh dhe në fund gjithmonë i kemi duartrokitur këta djem. Por mënyra sesi mundesh, është për të ardhur keq. Fitojmë në pjesën e parë dhe gjithmonë mundemi ose barazohemi në të dytën. A ka një analizë se çfarë ndodh? Kësaj Kombëtare i mungojnë lojtarët që luajnë me shpirt. Kishe Altin Lalën më para, kishte aq shumë shpirt, sa nuk e di ku e mbante. Një lojtar vetëm 1.60 i gjatë dhe mbante shiritin e kapitenit me gjermanët që janë të gjithë nga 2 metra të gjatë.
Pikërisht për këtë shpirt po flas, pikërisht është ky shpirti që ne na mungon tani. Tani ecin, nuk vrapojnë mirë. Hyri Broja dje, erdhi nga stoli, ishte i freskët dhe nuk bëri mirë. Le ta themi tani që nuk bëri mirë. Aty kishte hapësirë për të kaluar treni dhe Broja nuk e bëri. Prandaj hyri në fushë, ajo ishte detyra e tij, të mbyllte ndeshjen.
Unë mendoj se mes një lojtari të Shqipërisë dhe një lojtari të huaj dhe të rritur në Spanjë, Angli, Itali, ne duhet t’i japim më shumë prioritet këtij lojtari të Shqipërisë. Se ky është lindur dhe rritur në Shqipëri me ëndrrën që një ditë të arrijë në Kombëtare, jeton në këtë përditshmëri dhe e ndien më shumë këtë fanellë. Dua më shumë një lojtar të Tiranës dhe Partizanit që të qajnë për këtë Kombëtare sesa të përfundojmë në skena të tilla, kur lojtarët nuk pranohen nga ana e tifozëve. Te Kombëtarja po thonë që të rinjtë nuk po luajnë. Le t’i japin me emra kush është? Se I ri aty është Asllani, është Broja. Nëse nuk luajnë, atëherë mos të futen. Është tjetër gjë të luash në klub të madh dhe tjetër të jesh pjesë e Kombëtares, është emocion i veçantë”.