Ish-portieri i Kukësit e tashmë i Vushtrrisë, Marvin Brozi, është vënë nën hetim pasi dyshohet për kërcënime ndaj një anëtari të stafit teknik të Feronikelit. Sipas aktakuzës, ngjarja lidhet me një telefonatë ku janë përdorur fjalë fyese dhe kërcënuese.
“Kam për të të zhdukur”, dyshohet të jenë fjalët e përdorura nga futbollisti. Burime nga procedura hetimore bëjnë me dije se incidenti ka ndodhur më 17 nëntor 2025. 24-vjeçari akuzohet se ka vepruar me dashje gjatë komunikimit verbal me personin në fjalë.
Prokuroria e ka cilësuar rastin si vepër penale “Kanosja”, bazuar në nenin 181, paragrafi 1 të KPRK-së. Procesi pritet të vazhdojë në ditët në vijim, ku do të përcaktohen hapat e mëtejshëm ligjorë.
Kujtojmë se Brozi ka edhe një të shkuar tek Partizani. Në të kaluarën, 24-vjeçari ka veshur fanellën e të kuqve, duke u aktivizuar me Partizanin U19.
