Skuadra e Ferizajt ka pasur një ditë aktive, përsa i takon tregut të merkatos. Bardheblutë e Superligës kosovare kanë zyrtarizuar dy blerjet më të reja, fjala është për Kosovar Sadiki dhe Rudolf Turkaj.
Sadiku është 27 vjeç, qendërmbrojtës dhe ka luajtur në të shkuarën me moshat e Stoke City në Premier League (liga e moshave). Po ashtu, lojtari në fjalë ka qenë pjesë e kombëtares së Kanadasë deri në U-23. Rudolf Turkaj nuk është një emër i panjohur.
Mbrojtësi shqiptar ka qenë pjesë e Kombëtares në vitin 2022, teksa e bëri debutimin ndaj Katarit, miqësore. Trajneri i Ferizajt përkon me një emër të njohur të futbollit dhe trajningut shqiptar, Nevil Dede.
51-vjeçari konsiderohet legjendë e Tiranës, me 9 kampionate të fituar si lojtar, ndërsa i ka drejtuar kryeqytetasit edhe në cikël afatshkurtër. Pas 18 javësh Superligë në Kosovë, Ferizaj mban pozitën e parafundit me 19 pikë.
