Komisioni i Verifikimit, organi përgjegjës për garantimin e integritetit dhe ligjshmërisë së procesit zgjedhor, në zbatim të Rregullores së Asamblesë së Përgjithshme të FSHF, zhvilloi sot mbledhjen e radhës me fokus verifikimin e propozimeve dhe kritereve ligjore për kandidatët për postin e Presidentit, për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe verifikimin e delegatëve të propozuar nga anëtarët e federatës.
Mbledhja u mbajt pas përfundimit të afatit zyrtar të depozitimit të kandidaturave. Gjatë shqyrtimit, Komisioni analizoi me kujdes çdo propozim të paraqitur nga anëtarët e Asamblesë, duke vlerësuar përmbushjen e kritereve statutore, integritetin personal dhe përputhshmërinë me kërkesat ligjore të procesit zgjedhor.
Në përfundim të procesit të verifikimit, Komisioni konstatoi se 13 kandidatë për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së kanë marrë dy propozimet e nevojshme nga anëtarët e Asamblesë dhe plotësojnë kriteret për të qenë zyrtarisht pjesë e garës.
Kandidatët sipas renditjes alfabetike janë:
1. Abdyl Kuriu
2. Anila Basha
3. Arben Dervishaj
4. Armando Cungu
5. Blendi Fevziu
6. Edmond Hasanbelli
7. Envi Hicka
8. Erind Resuli
9. Ervin Canollari
10. Geri Çipi
11. Gjergji Petro
12. Lutfi Nuriu
13. Pano Xhixho
Për postin e Presidentit të FSHF, është regjistruar kandidatura e z. Armand Duka, i propozuar nga 33 anëtarë të federatës.
Gjithashtu, Komisioni zyrtarizoi listën e delegatëve të anëtarëve të FSHF-së për Asamblenë e datës 16.02.2026, në përputhje me numrin e delegatëve të përcaktuar në Vendimin Nr. 1, datë 03.12.2025.
Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e FSHF do të zhvillohet më 16 shkurt 2026, në orën 10:00, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Gjatë Asamblesë do të zgjidhen Presidenti dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF për mandatin e ri katërvjeçar.
