
I bujshëm dhe që u përhap shumë shpejt ishte lajmi që Rey Manaj do të blejë klubin e Lushnjes. Për një moment të gjithë tifozët e verdhejeshilëve “filluan” të ëndërrojnë, por duket se diçka e tillë nuk është e vërtetë.
Është vetë klubi i Lushnjes që ka reaguar në rrjetet sociale ZYRTARISHT. Në postim shkruhet se pavarësisht se Manaj e do shumë klubin e vendit të tij të lindjes, lajmi se do ta blejë është i pavërtetë.
“Rey Manaj e do shumë Lushnjen, por lajmi që po qarkullon është i pavërtetë”, shkruan klubi i Kategorisë së Parë.
Siç dihet tashmë, Lushnja ka dalë 3 herë në ankand për shitjen e aksioneve, por asnjë individ nuk paraqiste ndonjë interes për të blerë klubin. Tashmë mbetet të shihet në ditët dhe javët në vazhdim për të parë se çfarë do të ndodhë, ndërsa Lushnja vazhdon të mbetet në pronësi të Bashkisë së Lushnjes.
