
Kategoria e Parë do të marrë vëmendjen ditën e sotme. 4 takime interesante do të luhen në këtë kampionat që janë të vlefshme për javën e 8-të.
Të gjitha sfidat do të luhen në orën 14:00. Erzeni pret në shtëpi skuadrën e Besës. Ergys Luga do të kërkojë fitoren në debutim, e cila do të ishte për shijakasit edhe e parë për këtë sezon, ndërkohë nga krahu tjetër kavajasit e Mirel Josës janë liderit e Kategorisë së Parë dhe nuk dëshirojnë hapa fals, pasi rrezikojnë vendin e parë në klasifikim.
Valbona sfidohet me Korabin në një duel që do të luhet në Tropojë. Si Valbona shtu edhe Korabi ndodhen në zonën e ftohtë të rendites dhe kanë detyrim fitoren.
Të dënuar për 3 pikët janë edhe Kukësi dhe Kastrioti, sfidë kjo që do të luhet në “Kukës Arena”. Si verilindorët ashtu edhe krutanët kërkojnë 3 pikët për t’u rikthyer te rezultatet pozitive në kampionat.
Ndërkohë sfida e fundit e ditës së sotme është mes Vorës dhe Lushnjes. Ekipi i Arian Bellait kërkon rezultat pozitiv në shtëpi për të mbajtur hapin e ekipeve të kreut, ndërsa lushnjarët pas largimit të Gugash Maganit kërkojnë të reagojnë dhe fitorja është mëse e detyrueshme.
