Komuniteti i futbollit në zi. Ish-futbollisti i mirënjohur i Korabit të Peshkopisë, Gjylzar Shehu, është ndarë nga jeta në moshën 62-vjeçar, pasi prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë.
Hapat e para në futboll i hodhi në vitet 1978–1981 si qendërmbrojtës i të rinjve të Korabit. Cilësitë e tij fiziko–atletike, forca dhe karakteri i fortë ranë në sy të trajnerit të njohur Behxhet Shehu, i cili e afroi në ekipin e parë të Korabit.
Nga viti 1981 deri në vitin 1991, ish-futbollisti që njihej me epitetin “Gjyli”, u shqua si një ndër qendërmbrojtësit më të mirë të Kategorisë së Dytë.
Pikërisht për ndarjen nga jeta të figurës së shquar të futbollit dibran, ka reaguar edhe klubi i Korabit, me anë të një mesazhi ngushëllimi në rrjetet sociale.
REAGIMI:
Me keqardhje dhe hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të ish-futbollistit të Korabit, Gjylzar Shehu, i cili prej kohësh po përballej me një sëmundje të rëndë.
I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Shehu dhe të gjithë të afërmve të tij.
Qofsh i xhenetit, Gjyli!
Pusho në paqe!
