
Skënderbeu ka triumfuar në shtëpi përballë Laçit, në supersfidën e vlefshme për javën e 5-të të Kategorisë së Parë. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e Korçës, përfundoi 1-0 në favor të vendasve. Në përfundim të këtij dueli ka folur trajneri fitues, Ernest Gjoka.
“Ishte fitore e vështirë. Kishim përballë një kundërshtar si Laçi, që e dinim që ka disa pika të forta, ka një mesfushë shumë të mirë. Ndoshta nuk jam i kënaqur sepse duhet të kishim bërë pak më shumë në zotërimin e topit dhe në markim në fazën mbrojtëse. Ishin disa momente që kundërshtari për hir të së vërtetës na vendosi në vështirësi.
Futbolli i tillë është, pastaj kishim Laçin, një nga kundërshtarët tanë direkt. Ka një skuadër që është për t’u vlerësuar. Më shumë i pakënaqur jam me pjesën e parë, ishte një 10-12 minutësh, ku Laçi në mesfushë ishte duke bërë mirë, na vuri në vështirësi, gjeti hapësira midis linjave. Këtu ishte ajo që na prishi ekuilibrat dhe na futi në panik. Në pjesën e dytë gradualisht, kishim ne më shumë posedim topi, pavarësisht se rastet nuk po dilnin, deri sa erdhi goli.
Në fazën mbrojtëse na vunë disa herë në vështirësi, sidomos numri 80 dhe 31, kishin një lloj koordinimi bashkë dhe nuk po i ndanim mirë, duhet të mbulohej në zonë apo 1 për 1 në një pjesë të fushës afër zonës sonë. Në fazën e sulmit e kapëm thellësinë me Janaqin, porvuam edhe me Abubakarin, gjithsesi ishte një moment i vështirë për ne dhe kjo ishte për meritë të kundërshtarit.
Mendova më shumë garanci duke marrë thellësinë nga krahët, mbushëm zonën gol me shumë lojtarë. Aty do ta vendosnim në vështirësi. Dhe mendoj se aty e kapëm në vështirësi, duke shënuar. Kishte disa momente që nuk duhet të kishim hapësira në mesfushë, në ekuilibrat e skuadrës. Ndeshja filloi mirë. 10-12 minutat që Laçi na mori, na vuri në risk me lëvizjet pa top që filluan duke bërë 3 mesfushorët e qëndrës. Kjo na prishi ekuilibrat. Për këto gjëra jam i pakënaqur. Laçi është skuadër goxha cilësore për këtë kampionat. Nuk mund të dominojmë në shkallën superiore, sepse edhe kundërshtari që kemi përballë është i denjë.
Duhet të dimë të ndajmë detyrat, këtu ndoshta çaluam pak. Nasr ndonjëherë duhet të luajë edhe pak top, nuk duhet të jetë aq larg. Markohet shumë. Nuk ditëm t’i shfrytëzojmë maksimalisht rastet. Po çalojmë në cilësia për ta çuar topin në rrjetë”, tha Gjoka.