
Kategoria e Parë ka hyrë në fazën më interesante të saj, teksa tashmë ekipet luftojnë për çod centimetër të fushës për të arritur te fitorja. Nuk kanë kohë për të humbur dhe skuadrat kanë kthyer vëmendjen te java e 29-të e kampionatit.
Kjo javë do të jetë e ndarë në 3 ditë. Kështu skuadrat do të zbresin në fushë të premten, të shtunën dhe të dielën.
Gjithçka do të startojë me duelin mes Vorës dhe Flamurtarit, sfidë që do të luhet ditën e premte në orën 15:00. Ndërkohë të shtunën do të zhvillohen 4 takimet e tjera. Bylisi do të presë në shtëpi Korabin, sfidë që starton të orën 15:00. Ballshiotët do të kërkojnë fitoren për të siguruar edhe matematikisht Superioren, ndërkohë dibranët duan 3 pikët për të “blinduar” pozitat e tyre në “Play-Off”.
Paralelisht luhen edhe sfidat Luzi – Lushnja dhe Tomori – Burreli. Në orën 18:00 e gjithë vëmendja do të jetë në “Elbasan Arena”, ku skuadra e Nevil Dedes do të presë Apoloninë. Elbasani gjithashtu do të kërkojë minimalisht 1 pikë për të siguruar matematikisht Superioren, ndërkohë fieraket duan fitoren për të “blinduar” vendin e tyre në “Play-Off”.
Të dielën do të luhet ndeshja e fundit e javës së 29-të. Kastrioti do të udhëtojë në Kavajë për të sfiduar Besën, sfidë që do të startojë në orën 15:00. Një duel “kokë më kokë” mes ekipeve për të lënë zonën “Play-Out”.
JAVA 29
Vora-Flamurtari 12.04.2024 15:00
Bylis-Korabi 13.04.2024 15:00
Luzi 2008-Lushnja 13.04.2024 15:00
Tomori-Burreli 13.04.2024 15:00
AF Elbasani-Apolonia 13.04.2024 18:00
Besa-Kastrioti 14.04.2024 15:00