Besa nuk po kalon aspak një moment të mirë në kampionat në këtë sezon. Kavajasit u ndëtuar për të luftuar për ngjitjen në elitë, por rezultatet e marra deri në javën e 14-të të kampionatit bëjnë që ekipi të jetë në “luftë” për mbijetesë.
Humbja e fundit ndaj Apolonisë nuk është “kapërdi” lehtë nga Shpëtim Duro. Ky i fundit pas disfatës 2-0 ka dhënë dorëheqjen dhe tashmë kavajasit mbeten në “udhëkryq”.
65-vjeçari nisi aventurën e tij te Besa në sfidën ndaj Apolonisë në fazën e parë, ku u mposht 2-1 dhe si për ironi të fatit humbja sërish ndaj fierakëve i dha fund këtij kapitulli. Gjatë kësaj periudhe arriti të merrte vetëm 3 fitore, u mposht 6 herë, ndërsa skuadra barazoi në 3 raste. Ndërsa mori edhe 2 fitore në Kupë, por gjithsesi shumë larg pretendimeve.
Ndërkohë vlen të theksohet se Duro zëvendësoi disa muaj më parë në stol Emiliano Çelës dhe tashmë te Besa do të kërkojnë të gjejnë trajnerin e 3-të të këtij sezoni, të cilit do t’i besojnë ekipin për ndeshjet e radhës.
