
Nuk ka vonuar dhe zyrtarizimi i largimit të Ardian Memës. “Newsport.al” njoftoi më parë se 51-vjeçari kishte dhënë dorëheqjen, ndërsa tashmë lajmi është konfirmuar nga vetë klubi.
Kastrioti nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se Mema nuk do të jetë timonieri i skuadrës.
“Klubi i Futbollit Kastrioti njofton se Ardian Mema nuk do të jetë më trajner i skuadrës tonë. Tekniku ka paraqitur dorëheqjen pranë drejtuesëve të klubit të cilët e kanë pranuar vendimin e tij. Klubi e falenderon teknikun për gjithçka dha për ekipin dhe i uron suksese në karrierë”, thuhet në postimin e Kastriotit.
Kujtojmë se 51-vjeçari e mori drejtimin e krutanëve më 14 dhjetor 2022, teksa eksperienca e tij zgjati vetëm 3 muaj. Në 8 javë në krye të skuadrës ka arritur të suigurojë vetëm 1 fitore, 2 barazime dhe 5 humbje në kampionat. Në Kupë ka siguruar 1 fitore dhe 1 barazim ndaj Dinamos, duke siguruar edhe çerekfinalen.
Aktualisht Kastrioti renditet në fundin e klasifikimit me 20 pikë pas 21 javësh të luajtura në kampionët deri më tani.