
Dejvi Bregu do të mbyllë këtë sezon me Skënderbeun. Vlonjati i sulmit ishte ndër lojtarët e shumë përfolur për të ndëruar ambient, ndërsa një transferim i tij jashtë Shqipërisë u ndal vetëm prej Covid-19.
Shtatshkurti është ndalur të flasë për Fans Zone, teka beson se Skënderbeu i tij do jetë ndër katër ekipet e kreut në fund të 36 javëve kampionat. Me 9 gola këtë edicion, Bregu kërkon më shumë kohë për stërvitje, ndërsa beson se korçarët kanë cilësi në ekip, cilësi që mund të vendosë fatet e sezonit, duke uruar të gjithë sportistët që mos kalojnë asnjë dëmtim këtë periudhë.
"Gjithmonë është bukur të bashkohesh me shokët, pasi vinim nga një periudhë mjaft e mirë, qoftë personale, qoftë edhe si ekip. Megjithatë kemi qenë një kohë të gjatë pa aktivitet, ndaj shpresoj të gjejmë sa më shpejt formën më të mirë. Normal që periudha për t’u përgatitur nuk është aspak e mjaftueshme, por unë kam besim te ekipi se mund t’ia dalim, pasi kemi cilësi në grup.
Kur ecën mirë, normalisht që do pretendosh për më lart dhe ne e kemi treguar që jemi të barabartë me këdo nga ekipet e para të renditjes. Shpresoj të ruajmë këtë pozicion, pse jo të ngjitemi më lart. U uroj të gjithë sportistëve ta kalojnë sa më mbarë këtë periudhë dhe pa asnjë dëmtim", u shpreh Dejvi Bregu.