Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

INTERVISTA/ Tre lojtarët e preferuar të Emiljano VILËS, flet mesfushori: PARTIZANI, Daja, Starova, UEFA dhe... Guerrilsat

Shkruar nga NEWSPORT
INTERVISTA/ Tre lojtarët e preferuar të Emiljano VILËS, flet

Ka luajtur me Partizanin për disa sezone, por të shtunën do ta ketë kundërshtar në stadiumin e Korçës. Emiljano Vila, ish-mesfushori i kuq që u transferua te Skënderbeut në këtë merkato dimri ka dhënë një intervistë ekskluzive për newsport.al.

30-vjeçari analizon sfidën, situatën e korçarëve për shkak të akuzës së UEFA-s dhe në fund nuk harron të zgjedhë lojtarët më të mirë të dy kampeve.

- U larguat vetëm para disa javësh, ndërsa të shtunën do të luani kundër Partizanit. Si është për ju kjo sfidë?

Sigurisht ashtu si e thoni dhe ju kam kujtime të mira me Partizanin. Kam kaluar edhe aty vite të bukura ku më ka mbetur shumë pishman kampionatin. Të shtunën do të jetë një ndeshje mjaft e veçantë për mua.

- Thoni që do të jetë e veçantë. A mendon se do të jesh në formacion?

Nuk e di këtë. Nuk mund ta them. Të gjithë po punojmë fort për këtë sfidë që të marrim një rezultat pozitiv.

- Kur ishit pjesë e Partizanit keni ndëshkuar dy herë korçarët, gola me vlerë 3 pikësh. Do të bëni të njëjtën gjë për ish-ekipin tuaj?

Normalisht unë jam profesionist dhe si i tillë duhet të bëj punën time. Pavarësisht cilën skuadër kam kundërshtare, dua të jap më të mirën time. Pse jo dhe të shënoj duke ndihmuar ekipin.

- Një gol kundër të kuqve, a do të ishte një mesazh i bukur për drejtuesit e Partizanit?

Unë i respektoj të gjithë. Kam kaluar vite shumë të bukura te Partizani dhe siç e thashë pengu i vetëm është një titull kampion që nuk arritëm ta fitonim.

- Në transfertën e Korçës priten të jenë të shumtë edhe tifozët e Partizanit...

Guerrilsat janë bukuria më vetë e skuadrës së Partizanit. Ata e ndjekin skuadrën në çdo takim dhe në kohën kur luaja atje, ishin mbështetja më e madhe për ne.

- Kush do të triumfojë?

Sigurisht unë dua vetëm të fitoj (Qesh). Do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Pavarësisht pozitave në tabelën e klasifikimit, të dy ekipet kanë rivalizuar shumë me njëri-tjetrin dhe besoj se të shtunën në Korçë do të jetë një "luftë" e fortë sportive.

- Starova apo Daja, kë zgjidhni?

Nuk mund t'i ndaj. Të dy kanë cilësitë e tyre. Kam punuar me të dy edhe më përpara dhe ambienti që krijohet nga ata është shumë pozitiv.

- Por, te Partizani iu larguan...

Është një temë e hedhur pas krahëve. Jam i përqëndruar te Skënderbeu për të dhënë maksimumin tim.

- Meqenëse se ke qenë pjesë e të kuqve për disa vite. Si iu është dukur merkato e dimrit? Dhe, a është forcuar skuadra pas largimit tuaj?

Për sa i përket largimit tim, nëse është forcuar apo jo këtë e vlerësojnë të tjerët. Unë dua të them që Partizani ka formuar një grup me çuna të rinj. E kam ndjekur dhe deri tani kanë zhvilluar lojëra të mira.

- Shumë aludime, shumë fjalë, por asgjë konkrete. Ç'mendon për akuzën e ngritur nga UEFA për skuadrën tuaj?

Nuk më takon mua të flas për këtë pjesë. Me këtë po merret klubi dhe besoj se ata do t'i japin shumë shpejt zgjidhje. Ne lojtarët duhet të japim maksimumin në çdo ndeshje.

- I gjithë qyteti u ngrit dje në këmbë për kauzën e përbashkët: Mos të dënohet Skënderbeu! Si ishte atmosfera në skuadër kur patë dhe ndjetë gjithë atë mbështetje?

Ishte kënaqësi dhe lumturi e madhe kur shihje mijëra vetë në rrugët e qytetit që kishin dalë aty për të mbrojtur ekipin e tyre. Skënderbeu është krenaria e tyre dhe siç e thanë dhe vetë, ata do ta mbështesin deri në fund.

- Rikthehemi edhe njëherë te ndeshja. Zgjidhni lojtarin më të mirë të Skënderbeut dhe më të mirin e Partizanit.

Pak e vështirë, por po e bëj. Te Skënderbeu zgjedh Lilajn, ndërsa te Partizani do të preferoja dy: Trashin dhe Bathën. /Retin TOKA/

Poll

Lexo gjithashtu