Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, vazhdon të tërheqë vëmendjen e klubeve të mëdha gjermane pas një sezoni mbresëlënës në Bundesliga me Hoffenheim.
Sipas raportimeve nga mediat gjermane, disa skuadra të Bundesligës po monitorojnë nga afër situatën e 23-vjeçarit. Në mesin e klubeve të interesuara përmenden Borussia Dortmund dhe Leipzig , të cilat e shohin sulmuesin kosovar si një investim për të ardhmen.
Interesimi për Asllanin nuk është i ri. Më herët, media gjermane raportonte se edhe Borussia Mönchengladbach, Werder Bremen, Freiburg dhe Stuttgart kishin shfaqur interes për shërbimet e tij, pas paraqitjeve të shkëlqyera me Elversberg dhe më pas me Hoffenheim.
Asllani, i cili ka kontratë me Hoffenheim deri në vitin 2029, ka rritur ndjeshëm vlerën e tij në treg falë golave dhe asistimeve të regjistruara gjatë sezonit të fundit.
Për momentin nuk ka ofertë zyrtare, por vera pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e sulmuesit kosovar, i cili po konsiderohet një nga talentet më premtues të futbollit në Gjermani.
