Partizani i këtij sezoni po bën mjaft mirë. Të kuqtë e drejtuar nga trajneri Giovani Colella kanë arritur të mbajnë vendin e parë edhe pas përfundimit të fazës së parë të këtij edicioni futbollistik.
Për situatën e kryeqytetasve ka folur në një prononcim për mediet Elion Sota. Qendërmbrojtësi ka fituar vendin e titullarit duke qenë stabël bashkë me Eneo Bitrin. Ai është shprehur optimist duke deklaruar se skuadra e këtij sezoni është më e mira nga gjithë rivalët. Në fjalën e tij për mediet, Sota ka thënë:
“Vështirësia është për të arritur vendin e parë, por e vështirë është edhe për ta mbajtur, pasi të gjitha ekipet e tjera bëjnë presion për t’u afruar dhe për të marrë kreun e tabelës. Këtë vit kampionati është i vështirë pasi çdo ekip mund të marrë pikë, mund të fitojë.
Nder nga Erzeni?
: Po, pak a shumë po, por çdo ekip luan për vete, nuk është se luan për ne. Fillimisht nderin Erzeni ia bëri vetes pastaj ne.
Golat?
: Në fakt janë shumë pak për një ekip si Partizani që synon titullin. Por siç e kemi thënë, edhe trajneri, mjafton të krijojmë rastet pasi golat do të vijnë. Ka qenë ajo pjesa e fatit.
Titullar fiks?
: Ka qenë e vështirë në fakt se kur je me ekipe të mëdha si Partizani, konkurrenca është e lartë, sidomos në repartin tim ku kishte lojtarë me eksperiencë që kishin shumë vite këtu. Thjesht me durim, gjërat vijnë.
Gjithmonë kam dashur vetëm të luaj. Por nuk e kam menduar të largohem nga Partizani, sepse ekip më të mirë në Shqipëri se Partizani nuk besoj se gjen.
Kundërshtari i radhës Egnatia?
: Eshtë një ndeshje e vështirë. Egnatia është shumë ekip i mirë, ka marrë trajner me shumë eksperiencë që njeh mjaft mirë kampionatin. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe ne do ta vlerësojmë maksimalisht”.