Që në vegjëli kishte rënë në sy për tipin e saj të lëvizsshëm, që siç thonë të afërmit e saj, kurrë nuk linte "dy gurë bashkë". Ndofta i kishte paraprirë të ardhmes, që një ditë të mos lërë dy gira apo shtanga bashkë për dëshirën e madhe për të qenë në majë.
Fjorela Saliko, 25-vjeçarja nga Erseka ka dhënë një intervistë enkas për Newsport.al duke treguar gjithçka pa "doreza". Fillimet e saj kanë të bëjnë me një sport krejt tjetër siç është basketbolli. E kishte nisur me sportin e koshit, por dalëngadalë veten nisi ta gjente te aerobia dhe fitnessi. Pas përfundimit të arsimit të mesëm, ajo zgjedh Universitetin e Sporteve.
Prej asaj dite e deri më sot ka kontribuar çdo ditë në një mënyrë ose tjetër në fitness që vitet e fundit është shndërruar në trend në shoqërinë tonë. Tashmë është pjesë e stafit të një palestre në kryeqytet. Të gjithë e njohin si njeri të qeshur dhe bashkëpunues, kolegët e thonë hapur se ndihen me fat që punojnë me të.
Pandemia e Coronavirusit goditi çdo hallkë të jetës përfshirë edhe sportin e fitnessit. Çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe? Sa e vështirë ka qenë? Çfarë synimesh vajza me muskuj nga Erseka? Këtë e shumë të tjera mund t'i mësoni në intervistën e mëposhtme.
- Të gjithë mund të të konsiderojnë si zysha, por në fakt sot duam të njohim Fiorelën...
Fillimisht dua t'iu falënderoj për mundësinë e dhënë që të shpreh e të tregoj, me modesti, gjërat që dhe unë di rreth këtij sporti. Është bukur që, veç ndihmës në punën që bëj, ta bëj diçka të tillë edhe përmes medieve për këdo që është i interesuar për një fizik të shëndetshëm.
- Si lindi pasioni për sportin?
Në fëmijëri çdokush është në kërkim për të zbuluar talentin apo pasionin e tij. Pikërisht në atë periudhë më pëlqente të luaja me top. Edhe prindërit e vunë re dëshirën time e në shkollën fillore u aktivizova me një ekip basketbolli. Që prej asaj kohe, nuk e kam ndërprerë në asnjë moment aktivitetin fizik. Vërtetë që jam shumë e lidhur me sportin dhe për mua është pjesë e pandashme e jetës.
- Sa e vështirë është të jesh një sportist/e i disiplinuar i fitnessit?
Si çdo sport, edhe fitnessi do disiplinën e vet. Është diçka bazike, tregon qartë produktivitetin e gjithësecilit. Pa të nuk mund ta quash veten sportist.
- Sot jeni një nga trajneret më të reja në një nga palestrat e kryeqytetit. Pse ke zgjedhur që dijet e tua t'ia injektoje të tjerëve?
Siç e ceka më lart, zgjodha një profesion rreth sportit. E duke qenë se i jam futur fitness-it, pse jo mos t'i vij në ndihmë të gjithë të interesuarëve?
- Ditë pas dite, bota e fitnessit po fiton terren edhe në vendin tonë. A jeni ndjerë ndonjëherë e paragjykuar?
Sporti duhet konsideruar si stil jetese. Dhe pse një vend i vogël, të rinjtë, dita-ditës po sensibilizohen duke i dhënë një rëndësi të madhe shëndetit të tyre. Kjo s'i bën ata të ndihen të paragjykuar, ndërsa personalisht ndihem rehat me fizikun tim.
- Shpesh dëgjojmë, "jo po gjilpëra, jo po ilaçe", për të gjithë ata ose ato që kanë një fizik të admirueshëm. Mendimi juaj?
Pa dashur të tregoj mendjemadhësi, nga eksperienca ime mund të them me bindje të plotë se një trup i shëndetshëm krijohet nga dëshira dhe vullneti për ta pasur atë. Pyetjet që dëgjojmë janë nga më të shumëllojshmet. Por, çdo sport do mbështetjen e duhur, ashtu edhe fitnessi që 70 përqind e punës e ka në kuzhinë dhe regjim. Unë mendoj se e rëndësishme është që përdorimi i suplementeve të jetë në cilësinë e duhur, më pak rëndësi ka se çfarë zgjedh. Gjithëkush e mbështet stërvitjen e tij në bazë të objektivit personal.
- E gjitha bota dhe veçanërisht Shqipëria po kalon një situatë të pazakontë. Si ka ndikuar pandemia në zhvillimin e këtij sporti?
Duke nisur nga vetja, dështova në realizimin e objektivit të këtij viti për shkak të pandemisë. Po përgatitesha për një kompeticion fitnessi dhe shkaktari kryesor ishte pandemia. Si unë kanë qenë dhe shumë sportistë të tjerë.
- Vijon interesi të jetë i njëjtë apo edhe besnikët e fitnessit kanë "humbur" në këtë periudhë...
Gjatë kohës së karantinës, personat e apasionuar pas sportit nuk hoqën dorë dhe mundën të aktivizoheshin edhe në kushte natyre apo shtëpie. Pas karantinës, palestrat janë hapur dhe mund të them se po i rikthehemi normalitetit.
- Cilat janë planet e tua për të ardhmen?
Dua të rritem më shumë profesionalisht. Ky është synimi fillestar. Kjo është gjithçka që mendoj për momentin.
- Do të mund t'iu shohim ndonjë ditë në skenën e "bodybuilding"-it?
Siç e përmenda dhe më lart, do isha pjesë e një kompeticioni të tillë, por gjendja e jashtëzakonshme që kaluam nuk ma mundësoi një gjë të tillë. Ne momentin e parë që do të jepet mundësia, do të mund të më shihni dhe aty.
- Jeta sentimentale, single apo...?
Single.
- Biond apo brun?
Për momentin: "I'm fall in love... with gym". (Qesh)
- Një mesazh të fundit?
Duajeni veten dhe trupin tuaj. Mos vendosni kriter kryesor pamjen e jashtme, por shëndetin tuaj: Investoni në zakone të shëndetshme dhe afatgjata si e vetmja zgjidhje. /Retin TOKA/

