Klajdi Hoxha në pamje të parë jep imazhin e një djali të thjeshtë si të gjithë djemtë e tjerë. Por kur kupton që jo çdo herë është e nevojshme interesi apo përfitimi për tu bërë dikushi apo i rëndësishëm, kupton që rasti i tij është i veçantë.
Klajdi Hoxha është futbollisti më i ri i ekipit të Korabit. Në ndeshjen kundër Kukësit ai bëri edhe debutimin e tij të parë në barazimin 1-1, një fillim i mbarë për të. Sigurisht që ambicjet e tij si futbollist janë që ai të arrijë sa më lart profesionalisht dhe mesa duket, aventura tashmë ka nisur tek ekipi i Korabit. Por ajo çka vlen të theksohet për Klajdin, është fakti se përpos futbollit, pasioni i tij për sportin është i jashtëzakonshëm.
Klajdi Hoxha është edhe menaxher i webfaqes së tij, www.klajdihoxha.com , në të ciliën ai jep këshila të ndryshme në lidhje me fitnessin, dietat ushqimore, ushtrimet e ndryshme për muskujt apo palestrën në përgjithësi. I intervistuar nga Newsport.al, Klajdi ka folur në lidhje me karrierën e tij si futbollist dhe kryesisht për webfaqen e tij sportive.
I ndjekur nga 137 mijë fansa në facebook, Klajdi po ndjek edhe kurse online nga “Universitad de Barcelona” ku shpesh i duhet edhe të udhëtojë atje për të dhënë provime. Ky fakt e bën Klajdin një të ri për tu marrë shembull pasi ambicjet e tij krejtësisht të pastra pa përfitimë financiare, ndoshta do ti japin shtysën e duhur që në të ardhmen , pse jo të ketë edhe palestrën e tij private, ku kontakti me klientët të jetë më i afërt. Deri atëherë, Klajdin shpresojmë ta shohim sa më shumë në fushën e blertë.
INTERVISTA
- Cili është qëllimi i webfaqes suaj?
Që kur isha i vogël, mosha 8-9 vjeç, sportin e kam patur pasion dhe jam angazhuar rregullisht ne futboll, me skuadrën e të rinjve te Partizani psh. Që nga këshillat e trajnerëve, sportistëve të tjerë, e deri te eksperiencat e mia, kam arritur në disa regjimente të suksesshme për veten, të cilat kam dashur ti ndaj dhe me të tjerë, që kanë dëshirë apo nevojë të përmisojnë fizikun e tyre. Prandaj pata idenë të hapja një faqe interneti të dedikuar, si dhe fanpage në Facebook, që të informoj dhe motivoj sa më shumë të tjerë që të merren me sport. Në faqen e internetit ofrojmë informacione të vlefshme, të testuara dhe kushdo që na shkruan do marri përgjigje për çdo pyetje që mund të kenë.
- Jeni futbollist apo trajner personal?
Në fakt unë jam futbollist profesional dhe aktualisht luaj në Superligë me ekipin e Korabit. Por, njëkohësisht jam duke ndjekur një kurs të avancuar i titulluar Aktiviteti Fizik dhe Sporte kryesisht online nga Universitat de Barcelona, ku hera herës duhet të shkoj për provime dhe trajnim nga afër.
- Cilën keni më përzemër?
I kam të dyja përzemër sepse janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.
- Merresh me palestër?
Këshillat që ofroj në faqen e internetit i bazoj në praktikat e mia, në të cilat palestra është një pjesë e rëndësishme dhe merrem me palestër aq sa është e mjaftueshme për një futbollist.
- Cilat janë recetat për një trup të shëndetshëm?
Recetat për një trup të shëndetshëm janë shumë, por ajo që është e rëndësishme të përmendet dhe që çdokush duhet të ketë parasysh është që të ndërthuret aktiviteti fizik, dieta dhe regjimi sëbashku, sipas nevojave dhe kërkesave individuale.
- Cilat janë ushtrimet që mund të praktikohen në shtëpi?
Gjithmonë kam qenë i fokusuar që të përcjell të gjitha ushtrimet e mundura të cilat mund të kryhen edhe në rehatinë e shtëpisë. Në fakt, në faqen e internetit (KlajdiHoxha.com) do gjeni një sërë materialesh interesante për ushtrimet që gjithsecili mund të ushtrojë në shtëpi, të tipit push ups (pompa) dhe ABS (zona e muskujve të barkut).
- Palestër force, crosfit apo vrap te liqeni?
Secili ka preferencën e tij dhe unë do sugjeroja që nëse dikush është në dilemë, është më mirë të konsultohet me një specialist.
- Si lindi ideja për të hapur një webfaqe?
Pashë veten që për shumë gjëra specifike të cilat doja ti mësoja, të shihja kush i praktikonte, etj apo informacione mbi efektet e ushqimeve të ndryshme, vitaminave, etj. shikoja online dhe kërkoja. Shumica janë në gjuhë të huaj, anglisht, italisht apo spanjisht, dhe mendova se do ishte e dobishme që atë që unë vetë po mësoja ta sillja dhe në shqip. Një tjetër shtysë erdhi nga një takim që pata në Barceonë me një nga fitness modelët më të famshëm në botë, Sergie Costance, i cili më sugjeroi që të hap një faqe interneti në gjuhën e vendit tim dhe t’ju përcjell të gjithëve sa më shumë informacion për sportin totalisht falas.
- A keni përfitim financiar?
Përfitimi im i vetëm është kënaqësia që të tjerë do kenë mundësinë të mësojnë nga eksperiencat e mia.
- Do preferoje një kontratë me një nga klubet më të mira të Superligës apo një palestër private?
Pse jo të dyja?! Çdo ditë i dedikohem qëllimit për tu bërë një futbollist edhe më i mirë me skuadrën e superligës në të cilën jam dhe kush e di, ndoshta arrij të jem edhe më i suksesshëm me aftësitë e mia, por mund të them me siguri se planet për të hapur palestrën time private, janë tashmë në lëvizje.
[caption id="attachment_67097" align="alignnone" width="300"] Klajdi duke u prezantuar tek ekipi i Korabit[/caption]