Egzon Hyseni, kampioni absolut në Kosovë në sportin e Bodybuilding, i kontaktuar nga newsport.al, ka rrëfyer sekretet se si ka arritur t'ia dalë për të qenë kaq njohur në këtë sport dhe në Kosovë. Sipas Hysenit gjithçka nisi për shkak se ai ishte i dobët dhe donte të shtonte disa kilogramë më shumë, ndërsa më pas, dalëngadalë ai u bind se mund të arrinte më shumë se aq. 27-vjeçari nga Kosova ka folur dhe për planet e tij në të ardhmen dhe gjithashtu ka zbuluar dhuratën që po i bën të gjithë njerëzve që dëshirojnë të hanë shëndetshëm, pasi po hap një restorant të tijin.
- Si lindi dëshira juaj për këtë sport?
Dëshira për tu marrë me këtë sport m'ka lindur herët që në moshën 15-vjeç. Në atë kohë isha shumë i dobët me peshë, kisha vetëm 55kg dhe dëshira që të shëndoshëm pak ,ishte ajo që më shtyu të filloja. Pastaj duke i pa përmirësimet e formave të trupit, vullneti dhe dëshira për këtë sport vetëm sa shtohej dita-ditës dhe kështu erdha këtu ku jam sot.
- Sa kohë ka që e ushtroni?
Unë tani jam 27 vjeç. E thashë më lart që e kam filluar që në moshën 15 vjeç, i bie që 12 vite saktësisht.
- Jeni pjesë e familjes "Allo Team", cili është mbështetësi juaj më i madh?
"AlloTeam" është një grup i krijuar që në vitin 2013. Elvin Beqa dhe unë ishim ata të cilët e krijuam këtë grup, ndërsa tani çdo ditë është në rritje e sipër gjithmonë duke i seleksionuar antarët e grupit që ta kapim tamam ajkën e këtij sporti sepse jo çdokush mund të jetë pjesë e këtij grupi. Elvini deri tani ka qenë mbeshtetësi kryesor i imi. Bashkë me të i kemi këto rezultate që na bëjnë të parët në rrafshin mbarkombëtar me kaq tituj.
- Ky sport kërkon një disiplinë të hekurt. Sa e veshtirë është ta ndiqni?
Ky sport paraqet edhe vetë karakterin e personit, vërtet do disiplinë të hekurt, po së bashku me këtë disiplinë duhet të jesh dhe vetë i hekurt. Unë tek të gjithë njihem si njeri që i bëj ballë të gjitha dietave. Kam arritur atë shkallë saqë i marr të gjitha lehtë tani.
- Egzoni është shpallur kampion mbarëkombëtar. Kujt ia dedikoni këtë sukses dhe si ishin emocionet e asaj dite?
Një ndër titujt e mi është edhe kjo që po e thoni ju "Kampion Mbarkombëtar". Ndonjëherë ndjenjat nuk mund të përshkruhen se s'mund të gjesh fjalë, e sidomos kur u stolisa me këtë titull kisha konkurentë dy profesionistë të këtij sporti. Mund t'i përmend, Shaban Osmanin dhe Gëzim Lajçin dhe të triumfoja në mes tyre ishte vetëm një ëndërr e shndërruar në realitet atë ditë. Këtë titull ja dedikoj familjes time, trajnerit tim dhe të gjithë përkrahësve tjerë në mbarë trojet shqiptare që s'ndalojnë së përkrahuri asnjiher.
- Mund të na tregoni ndonjë program të thjeshtë stërvitjeje për të gjithë fansat e tu?
Po tregoj një renditje të thjeshtë të ushtrimeve të seciles pjesë të trupit ashtu si i bëj unë zakonisht.
E Hënë- këmbët, e mart gjoksin dhe barkun, të mërkurë e bëj pushim, e enjte- shpinën dhe pulpat, premte- supet dhe barkun, e shtunë krahë- pulpat.
- Kur do t'iu shohim përsëri në skenë? Çfarë do përfaqësoni?
Paraqitja ime në skenë shpesh herë varet nga trajneri, pra Elvin. Besoj se çdo herë do jem pjesë e skenës, kohë pas kohe, ndërsa për ndonjë garë akoma s'kemi përcaktuar. Synimet tona janë përherë më lart se ato që kemi arritur më përpara.
- Kostoja e këtij sporti është shumë e larte. Si ja dilni?
Është e vërtetë që ky sport ka një kosto shumë të lart. Deri tani çdo gjë e kam bërë me forcat e mia, ndërsa nga maji i këtij viti kam nënshkruar një kontratë 3 vjeçare me kompaninë me famë botërore të proteinave Muscletech. Prapë është shumë e vështirë, por ja dalim disi.
- Profesioni në jeten e përditshme?
Unë kam një palestër "FlexGym" këtu në Prishtinë. Po ashtu punoj edhe si trajner personal, kam klienta që i stërvis këtu. Po ashtu kam edhe në botën e jashtme Online. Ndërsa tani jam duke e hapur edhe restorantin e parë në rajon "FlexHealthyFood", ku do të ketë zgjidhje për secilin duke filluar nga ata të cilët duan të fitojnë peshën, edhe deri tek ata që duan të bien nga pesha.
- Një përshëndetje për të gjithë shqiptarët kudo që janë?
Të gjithë shqiptarëve kudo që janë, së pari i preferoj që të merren sa më shumë me sport sepse përmirson kualitetin e jetës, heq stresin dhe mërzinë. Sporti është parandaluesi numër një për shumë sëmundje të ndryshme. Të jemi të fortë dhe fizikisht ashtu siç jemi me karakter dhe me zemër.