
Ka ardhur për herë të parë në Shqipëri, por duket se është ambientuar shumë mirë. Bukuria e saj bie në pah dhe komplimentat nga meshkujt shqiptarë s'mungojnë. Hilda Margarita Loaiza Finol, e dashura e Aristoteles Romeros vjen me një intervistë të veçantë për Newsport.al.
Teksa futbollisti i Partizanit po stërvitet intensivisht për të gjetur ritmin e tij, Margarita po shijon baret e kryeqytetit. Bukuroshja nga Venezuela tregon planet për të ardhmen dhe dëshirën e të dashurit për të luajtur sërish në Seria A.
- Përshëndetje! Margaret si jeni njohur me Aristoteles dhe prej sa kohësh jeni bashkë?
Me Aris jemi njohur prej afro një viti. Përmes disa miqve tanë të përbashkët dhe vendosëm të ishim bashkë.
- Në fushë, ka treguar potencial të madh, por shpesh herë edhe mjaft nevrik. Sa ndryshon Romero në jetën e përditshme me një ndeshje futbolli?
(Qesh) Pasi erdhëm në Shqipëri, edhe këtë ves nëse mund ta quajmë kështu, Romero po punon që të jetë sa më i qetë. Me mua s'është nevrikosur kurrë.
- Na shuaj kureshtjen. Si e pritët lajmin e ardhjes tuaj në Shqipëri?
Ç'është e vërteta ne po e prisnim këtë mundësi prej kohësh. Nuk është se u habitëm, kur na erdhi lajmi i pranimit të Aris nga Partizani.
- Si po të duket Shqipëria, veçanërisht Tirana?
Nuk kam pasur rastin ta njoh Shqipërinë më parë. Prej një kohe të shkurtër jemi vendosur në Tiranë. Maksimumi një muaj kemi këtu. Por, edhe në këtë periudhë kam qenë vetëm pasi Aris i është kushtuar më së shumti stërvitjes së fortë. Kemi kohë për ta njohur. Por, mund të them se jam i befasuar për mirë me shqiptarët në këtë qytet. E vlerësoj shumë mirësinë dhe durimin që kanë me mua, veçanërisht prej gjuhës.

- Një vajzë e bukur si ju, padyshim ndeshet çdo ditë edhe me komplimentat e njerëzve apo jo?
Po, është e vërtetë. Më lavdërojnë dhe kjo më bën të ndihem mirë.
- Cili është profesioni juaj?
Kam mbaruar shkollën e mesme dhe kalova provimin për të hyrë në shkollën e Stomatologjisë. Por, me udhëtimin e papritur në Shqipëri, gjithçka për momentin ka mbetur pezull.
- Do të preferonit të jetonit për një kohë të gjatë në Shqipëri?
Dëshirën s'e kam. Por, të shohim se çfarë do të na sjellë jeta.
- Si është të jetosh me një futbollist?
Është një jetë me sakrifica, disiplinë, vendosmëri dhe përkushtim.
- Si e sheh Romeron? Sa larg do të shkojë me Partizanin?
Do të shkojë aq larg sa të dojë... Është i fokusuar dhe i vendosur për të arritur të gjitha objektivat e tij. E di që do të shkojë larg.

- A keni bërë plane bashkë?
Fillimisht duam që Aristoteles të kapë sa më shpejt formacionin. Dëshira jonë dhe veçanërisht e tij është që të kthehet sërish në Seria A.
- Po, për ndonjë fejesë?
(Qesh) Është ende shpejt. S'kemi folur për këtë pjesë. Nga mesi i vitit të ardhshëm, mund të kemi diçka konkrete.
- Për Romeron, kjo është hera e dytë që vjen në Shqipëri. Sa ka ndryshuar ai prej atëherë?
Absolutisht çdo gjë ka ndryshuar. Mënyra e tij e të parit të jetës, e vlerësimit dhe shfrytëzimit të mundësive që i vijnë, për të qenë më serioz dhe më përgjegjës me profesionin e tij, për t'u kujdesur më shumë për njerëzit e mirë që janë pranë tij. Dhe duke përqafuar një të ardhme të qëndrueshme dhe të ndritshme.
- Diçka e fundit?
Ne jemi këtu për të përmbushur qëllimet tona afatshkurtra dhe afatgjata, me shumë energji, gëzim, dashuri dhe vendosmëri. Shpresojmë që qëndrimi ynë në Shqipëri të jetë i dobishëm për të gjithë. Ai erdhi i gatshëm për të dhënë më të mirën nga vetja për ekipin, ndaj shpresojmë të kemi një vit me arritje të mëdha në nivel profesional dhe personal. Dhe e fundit, ju falënderoj shumë për këtë kohë që gjetët të më intervistonit. Është hera parë për mua. /Retin TOKA/

