
Është pjesë e Lokomotivës së Zagrebit, ku ka befasuar me aftësitë e tij në sulm. Bëhet fjalë për Indrit Tucin, djaloshin 19 vjeçar që bën pjesë në ekipin Kombëtar të Shpresave. Lezhiani ka surprizuar me paraqitjet e tij, duke merituar ftesën e Alban Bushit. Gjatë këtij sezoni me ekipin e kryeqytetit kroat, ai ka luajtur nëntë takime, mes kupës dhe kampionatit.
Djaloshi ka qenë pjesë e "Akademisë së Futbollit" në Shqipëri, duke kaluar në shkurtin e këtij viti te moshat e Lokomotivës. Aftësitë dhe serioziteti në fushë bënë që brenda 4 muajsh ai të thirrej me ekipin A të skuadrës ku bën pjesë, duke luajtur thuaj çdo takim gjatë këtij sezoni. 403 minutat e koleksionuara nga ai, tregojnë besimin e klubit për të ardhmen e ndritur të Tucit. Mesfushori me tipare sulmuese e përfundon kontratën në qershorin e 2020, por paraqitja e tij mund të sjellë të ardhura në arkën e kroatëve. Nuk kishte si të mos binte në sy paraqitja e tij edhe pranë FSHF-së, me Alban Bushin që e ka bërë pjesë të ekipi që do të luajë ndeshjen ndaj Anglisë U21. Indrit Tuci shihet si e ardhmja e "golit" kuqezi, me një vizion dhe nuhatje të mirë për lojën.