
Besa detyrohet të paguajë 13.5 milion lekë të vjetër për Gugash Maganin dhe ndihmësin e tij Klodian Dervishi. Trajneri dhe zëvendëstrajneri aktual i Egnatias kanë fituar në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve pranë FSHF-së të drejtën për pagat e padhëna nga ish-klubi, teksa nuk janë shlyer nga kavajasit.
Tanimë organi pranë FSHF-së i ka dhënë afat 30 ditor klubit të Besës për të shlyer trajnerin për pagat e padhëna në bazë të kontratës së nënshkruar. Nëse diçka e tillë nuk ndodh, pritet që Besa e sezonit të ri të ketë penalitete në pikë, duke bërë që objektivat sezonalë të jenë të rrezikuara. Në kushtet ku ndodhet Besa dhe me krizën e Covid-19, pritet që shuma të rëndojë arkat e klubit dhe presidentit Bizhdili. Magani ka qenë pjesë e Besës në sezonin 2019-2020.