
Pas barazimit 2-2 në "Zeqir Ymeri" ndaj Skënderbeut, Kukësi ka nisur menjëherë nga puna për takimin e javës së 23-të të kampionatit, që do luhet në fundjavë. Marrja e vetëm një pikë në shtëpi ndaj kampionëve të dimrit ka lënë të pakënaqur jo vetëm trajnerin, por edhe presidentin Safet Gjici, i cili dje i ka "tërhequr" veshin teknikut, duke i rikujtuar se te Kukësi nuk ka të paprekshëm.
Menjëherë pas kësaj, Peter Pacult ka marrë vendimin të nxjerrë në fushë lojtarët për të vazhduar me përgatitjet për sfidën e fundjavës që kampionët luajnë ndaj lagunarëve.
Duke parë se skuadra nuk ka patur shumë kohë në dispozicion, Pacult së bashku me ndihmësit e tij ka zhvilluar një seancë stërvitore me ngarkesë të plotë, duke "shtrydhur" të tijtë dhe mos i lënë asnjë ditë pushim lojtarët.