Java e 6-të e Superiore nuk ka ulur ende siparin teksa mbetet për t’u luajtur derbi Partizani – Tirana, i cili është shtyrë më 19 tetor. Megjithatë vëmendja ka kaluar e gjitha tek e shtata. Kjo javë prodhoi rezultate interesante me Egnatian që ruan kryesimin pas fitores me Vllazninë ndërsa Dinamo rikthehet te fitorja në transfertën e vështirë kurbinase.
Si çdo javë, Newsport.al ka përzgjedhur më të mirët. Nga porta në sulm, të gjithë në një mënyrë ose tjetër kanë dhënë kontributin e tyre në arritjen e objektivave. Më poshtë njihuni me 11-shen më të mirë si dhe trajnerin fitues.
-FORMACIONI I JAVËS-
Angelos TAFAS (Kukësi) – Ishte një nga pikat kryesore në barazimin që verilindorët morën ndaj Teutës. U tregua deçiziv me pritjet e tij duke mbajtur portën e paprekur.
Bekim MALIQI (Erzeni) – U tregua mjaft i saktë në krahun e tij duke mos lënë asnjë aksion të Skënderbeut të kalojë nga ai krah. Ndihmoi shumë dhe në repartin ofensiv.
Franci LALA (Kukësi) – Një ‘mur’ i vërtetë dhe deçiziv duke mos lënë sulmuesit e Teutës që të manovronin në zonën kuksiane.
Vasilios ZOGOS (Kukësi) – Së bashku me Lalën u bënë një dyshe e pathyeshme, duke u bërë makth për Teutën dhe duke ndihmuar Tafas për të mos pësuar gol.
Klevis SHAQE (Skënderbeu) – Lëvizi shumë në fushë sa në mbrojtje dhe në sulm. Shënoi një gol vendimtar duke kontribuar në fitoren e ekipit të tij ndaj Erzenit.
Bakary GOUDIABY (Dinamo City) – Ndaj Laçit u tregua ‘truri’ i dinamovitëve duke krijuar raste dhe duke furnizuar sulmuesit me pasime. Edhe në aspektin mbrojtës u tregua mjaft i saktë duke rikuperuar 90% të topave.
Ledio BEQJA (Teuta) – Një mesfushor që tregon gjithmonë e më shumë klas nga ndeshja në ndeshje. Ndaj Kukësit ishte një nga rreziqet kryesore pasi ishte ai që nxirrte ekipin para në çdo kundërsulm të rrezikshëm.
Dean LIÇO (Skënderbeu) – Një nga pikat kryesore të këtij Skënderbeu, gjë që e ka treguar dhe në fitoren e fundit ndaj Erzenit. Shënoi golin e parë, gol që i hapi rrugën një 3 pikëshi të rëndësishëm.
Baton ZABËRGJA (Dinamo City) – Një lojtar nga i cili Dinamo pret shumë dhe e ka treguar shpesh që ka shumë potencial. Shënoi golin e fitores ndaj ekipit të Laçit duke rikthyer Dinamon tek 3 pikëshi.
Vusal ISGANDARLI (Egnatia) – Ka treguar gjithnjë që është një nga lojtarët më të mirë tek Egnatia. Diçka të tillë e dëshmoi dhe në golin që shënoi ndaj Vllaznisë.
Raphael DWAMENA (Egnatia) – Sulmuesi më në formë i momentit në Superiore. Shënoi golin e dytë dhe të qetësisë për rrogozhinasit në fitoren që këta të fundit morën ndaj Vllaznisë. Gjithashtu mban vendin e parë në listën e golashënuesve me plot 7 të tillë.
Trajner: Luigi DI BIAGIO (Dinamo City) – Riktheu Dinamon tek fitorja në një transfertë të vështirë si ajo e Kurbinit. Një fitore që rrit motivimin tek lojtarët dhe stafi të cilët kërkojnë kthesën dhe vazhdimësinë e ecurisë pozitive.
[caption id="attachment_708025" align="alignnone" width="900"] FORMACIONI I JAVES SE 6-TE SE SUPERIORES[/caption]