Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 29-të të Superiores, lojtarët dhe trajneri fitues

Shkruar nga NEWSPORT

Kategoria Superiore uli “siparin” për javën e 29-të të saj. Duele dhe rezultate interesante që kanë lëvizur ujërat në kampionat. Laçi mposhti Partizanin duke i dhënë një “asist” Tiranës që tani shkëputet +5 pikë në krye duke u afruar me titullin e 27-të kampion. Ndërsa 3 sfidat e tjera përfunduan në barazim.

Në gjithë këtë panoramë të javës së 29-të të elitës, Newsport.al ka përzgjedhur më të mirët, lojtarët që lanë gjurmë duke ndikuar në rezultatet e ekipeve të tyre. Gjithashtu një vend të rëndësishëm zë dhe trajneri i javës.

Formacioni i javës:

Bojan ZOGOVIC (Vllaznia): Gardiani i Vllaznisë u thërrit disa herë në detyrë përballë Kukësit dhe gjithmonë ia doli të mbante portën e pastër. Dy herë topi përfundoi pas shpinës së tij por kjo vetëm në mënyrë të parregullt, gjë që u vu re edhe nga gjyqtari që anulloi të 2 golat për pozicion jashtë loje. Ishte në një ditë të mirë.

Viktor VELKOSKI (Laçi): Qendërmbrojtësi i Laçit ishte në një nga ditët e tij më të mira teksa përballë Partizanit arriti të fitonte thuajse çdo duel. I gjithë ekipi i Laçit e nisi me vështirësi ndeshjen por që pas minutës së 20-të morën frenat e lojës. Mbrojtësi maqedonas ishte i saktë në prapavijë dhe shpeshherë nxirrtë në kundërsulm skuadrën e tij.

Milos STOJANOVIC (Kastrioti): I pakalueshëm në thuajse çdo duel përballë lojtarëve të Erzenit. Ndaj shijakasve ishte nëj ndeshje plot ngërçe dhe krosimet e larta u përdorën shumë por në çdo duel ajror, Stojanovic nuk kishte rival. Shpëtoi disa herë skuadrën krutane dhe ishtë një nga faktorët kryesor pse nuk u pësua asnjë gol.

Ardit PEPOSHI (Erzeni): Mbrojtës i majtë por është përdorur ndeshjet e fundit edhe në mbrojtjen me 3. Këtë pozicion të ri e ka bërë mjaft mirë edhe në ndeshjen ndaj Kastriotit. Shfaqi siguri në mbrojtje dhe në pjesën e dytë mori pozita më ofensive duke nxjerrë skuadrën para për të provuar të gjenin golin e fitores.

Albano ALEKSI (Tirana): Padiskutim lideri mes lojtarëve bardheblu. Sido që të jetë rezultati, sado i madh të jetë presioni, Aleksi asnjëherë nuk del nga vetja e tij dhe është ai tek i cili “fshihen” pas lojtarët e Tiranës. Shehi e sheh si trajner të dytë në fushë dhe ndaj Egnatias udhëzonte shokët e skuadrës. Në mesfushë fitoi disa duele të forta por momenti i tij më i mirë ishtë tek goli i fitores ku pavarësisht gjatësisë fitoi duelin ajror dhe nisi një top për Lushkjen që më pas do të pasonte për autorin e golit Abazajn.

Serxho UJKA (Laçi): Filtruesi i çdo topi te Laçi, i kudondodhur në fushën e lojës. Mesfushori ndihmon skuadrën në fazën defensive dhe është ai që e nis para në aksionet sulmuese. Ndaj Partizanit u afrua shumë me golin por u ndal nga tranversa por kjo nuk e zbeh aspak shkëlqimin e tij ndaj të kuqve.

Daniel MOMOH (Kukësi) – Është vetëm 21-vjeç por në fushën e lojës tregon një maturi që u mungon edhe disa prej lojtarëve më me eksperienvë në Superiore. Në një sfidë ku lufta u bë në mesfushë, talenti i Kukësit ishte ai që shkëlqeu më shumë nga të gjithë. Hallaçi e vuri si numër 6-sh dhe ia doli mjaft mirë duke thyer aksionet e shkodranëve dhe duke fituar duelet fizike me kundërshtarët. Një blerje e goditur nga verilindorët.

Jo SANTOS (Bylis): Autor i 2 golave në barazimin 2-2 përballë Teutës, ai i dyti ishte një perlë e vërtetë teks ame rovëshatë do të dërgonte topin në rrjetë dhe të merrte duartrokitjet e publikut pas largimit nga loja. Sulmuesi i ballshiotëve ishte rrezik konstant në zonën durrsake dhe ia doli t’i jepte 1 pikë skuadrës së tij.

Lorenco VILA (Teuta): Tashmë dihet që ky lojtar është më i miri te Teuta. Lorenco është arma kryesore e durrsakëve i cili ndaj Bylisit shënoi një dygolësh që përmbysi përkohësisht rezultatin. Nuk ke çfarë t’i kërkosh më shumë atij teksa kthehet disa herë në mbrojtje ndërsa në fazën ofensive, të gjithë shokët e skuadrës duan ta gjejnë sa më shpejt.

Kristal ABAZAJ (Tirana): Vjen më në fund momenti i tij. Sa shumë ka pritur për t’u duartrokitur emri i tij në tribuna. Pas një periudhe të vuajtur me dëmtime të cilat ende s’janë zhdukur, sulmuesi i Tiranës shkëlqeu me 2 gola duke përmbysur Egnatian dhe t’i jepte një fitore me aromë titulli bardhebluve. Festën e golit të parë e bëri me fizioterapistin e skuadrës, Arzen Vocin, me të cilin ka qendruar shumë pranë kohët e fundit.

Saliou GUINDO (Laçi): Bomberi i bardhezinjve ka marrë superxhiro dhe duket se s’ka ndërmend të ndalet. Në 6 ndeshjet e fundit ka shënuar plot 8 gola, 2 të fundit ndaj Partizanit. Nga Superioria u largua si kryegolashënuesi i sezonit të fundit por u rikthye sërish në janar dhe po bën atë që n aka mësuar të shohim prej tij, një “thaës” me gola.

Trajner: Stavri NICA (Laçi) – Dy ndeshje në krye të bardhezinjve dhe ka arritur të marrë 6 pikë të plota në 2 ndeshje shumë të vështira. Së pari fitoi “finalen” me Teutën dhe së dyti mposhti pretendentët për titull Partizanin. Laçi i tij e nisi me vështirësi ndeshjen duke pësuar golin e parë por më pas erdhi përmbysja e madhe me 3 gola. Fitoi duelin e pankinave me Colellën, kjo u vu re qartë edhe në lëvizjet nga stoli. Zëvëndësuesit kurbinas i dhanë freski skuadrës ndërsa ato të Partizanit, nuk arritën të sillnin diçka të re. Laçi i Stavri Nicës tani është vetëm 3 pikë larg zonës europiane.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga