Kategoria Superiore mbylli javën e 26-të të kampionatit e cila kulmoi me Klasiken e Shqipërisë, ku Vllaznia mposhti Tiranën në Shkodër. Fitore tepër të rëndësishme morën Skënderbeu dhe Teuta që triumfuan ndaj Laçit dhe Erzenit duke prekur objektivat e tyre.
Në këtë panoramë të javës së 26-të, Newsport.al ka përzgjedhur formacionin më të mirë të këtij raundi. 11 lojtarë që shkëlqyen me skuadrat e tyre dhe një vend të rëndësishëm për trajnerin më të mirë i cili drejtoi ekipin e tij drejt suksesit.
-FORMACIONI I JAVËS-
Alban HOXHA (Partizani) – Lideri i të kuqve është rikthyer si titullat mes katërkëndëshit duke ulur në stol Pano Qirkon. Ndaj Kukësit ofroi një siguri që u dha një shtysë lojtarëve përpara të sulmonin të qetë. Disa pritje vendimtarë që tensionuan kuksianët të cilët përpiqeshin të reagonin në disa momente.
Albion MARKU (Dinamo) – Bën perfekt detyrat mbrojtëse duke bërë që kundërshtarët të ndërrojnë krah për të sulmuar. Në këtë mënyrë i jep vetes hapsira të sulmojë vetë përpara dhe shpeshherë futet në zonë. Ndaj Egnatias e bëri rregullisht duke qenë rreziku kryesor së bashku me Zabërgjan në krahun e djathtë.
Artan JAZXHI (Teuta) – Shtatlartësia është një atribut që nuk fitohet rrugës, por vjen falë genetikës. Një dhuratë të tillë di si ta shfrytëzojë më së miri qendërmbrojtësi i durrsakëve. Jazxhi nuk humbet thuajse asnjë duel ajëror dhe në derbin ndaj Erzeni dhuroi plot 2 asiste me kokë duke qenë protagonist në fitoren e madhe.
Marko JURIC (Vllaznia) – Një mbrojtës që del para, shënon golin e parë dhe ‘izolon’ rrezikun më të madh të kundërshtarit. Juric bëri detyrat e tij më së miri duke ngritur peshë tifozët shkodran me golin e parë të ndeshjes, si dhe markoi rregullisht Kristal Abazajn.
Esat MALA (Vllaznia) – Rikthimi i tij ka ndryshuar totalisht për mirë lojën e shkodranëve. Një ‘playmaker’ tipik që e kërkonte me ngulm trajneri Osmani. Cilësi e lartë teknike, pasimet e tij depërtojnë mesfushën kundërshtare dhe krosimet e tij janë si ‘snajper’ drejt e në kokën e shtatlartëve të Vllaznisë.
Ildi GRUDA (Vllaznia) – ‘Rraketa’ e Shkodrës! ‘Rrufe’ në krahun e majtë, i frikshëm kur merr topin në kundërsulm dhe ecën para. Pavarëisht se nuk shënoi një gol, Gruda ishte ai që rrezikoi më shumë herë portën e Tiranës, madje goditi edhe shtyllën. Megjithatë, nuk kishte si të mos ishte protagonist në një nga golat e shënuar teksa dhuroi asistin për Juric në golin e parë.
Ledjo BEQJA (Teuta) – Një nga lojtarët më të nënvlerësuar te Superiores. Mesfushori i durrsakëve është një ndër shkatrruesit më të mirë në qarkullim. Ndaj Erzenit dominoi mesin e fushës dhe shënoi vetë një gol duke i dhënë 3 pikë Teutës.
Matias LLOCI (Teuta) – Nga i padëshiruar, në protagonist absolut. Mesfushori u afrua tek Teuta pa bujë, por zhurmën vendosi ta bënte në fushë. Fitoi menjëherë vendin e titullarit dhe po shënon gola thuajse rregullisht.
Tedi CARA (Partizani) – Një performancë e denjë për Lojtarin më të Mirë të Javës. 2 gola dhe 1 asist, ç’mund t’i kërkosh më shumë një sulmuesi? Mungesa e Carës u ndje në humbjen ndaj Skënderbeut dhe rikthimi i tij në këtë sfidë me Kukësin konfirmoi rëndësinë e kavajasit për të kuqtë.
Ardit NIKAJ (Skënderbeu) – Një gol në fundin e ndeshjes për t’i dhënë 3 pikë të arta skuadrës së tij. Shkodrani Nikaj tregohet edhe një herë tjetër protagonist për ekipin korçar. Ky gol në transfertën e vështirë ndaj Laçit i dha bardhekuqve vendin në Final Four. Performancë solide nga sulmuesi 21-vjeçar që shkon në kuotën e 5 golave sezonal.
Bekim BALAJ (Vllaznia) – Kapiteni merr për dore ekipin e tij drejt një triumfi në Klasike që ngre peshë gjithë qytetin e Shkodrës. Balaj i këtij sezoni është i pandalshëm. Dopietë ndaj Tiranës dhe diKapiteni merr për dore ekipin e tij drejt një triumfi në Klasike që ngre peshë gjithë qytetin e Shkodrës. Balaj i këtij sezoni është i pandalshëm. Dopietë ndaj Tiranës dhe 3 pikët e rradhës që e bëjnë Vllaznië ekipin për t’u mundur. Diçka që duhet të vlerësohet jashtë mase ndaj tij është dëshria dhe grinta e madhe që shfaq në fushë. Një 33-vjeçar që ka prekur majat me Kombëtaren shqiptare, nuk rresht së vrapuari nga sulmi deri në mbrojtje. Profili i një lideri të vërtetë dhe një shembulli tipik për ata që pretedojnë të jenë ‘Bekim Balaj i ri’.
Trajner: Qatip Osmani (Vllaznia) – Arkitekti, strategu, timonieri, quajeni si të doni, por Qatip Osmani ka ndryshuar me rrënjë e themel Vllazninë. Shkodranët të kënaqin edhe kur... barazojnë, pasi humbja nuk njihet në Shkodër këto 11 javë të fundit të Superiores. Në Klasiken ndaj Tiranës ekipi i tij u vu në vështirësi vetëm kur ‘donte’ vetë. Me 2 golat në epërsi, i dha disi territor bardhebluve që tentonin me të gjitha forcat përpara. E kur pritej reagimi i tyre, një gol tjetër në kundërsulm u preu ‘ëndrrat’ dhe i dha 3 pikët e rradhës Vllaznisë.